SUPLEMENT/Alzheimer, sfida e shekullit

/ On : 08:23/ Ju falënderojmë për vizitën në këtë faqe.Për bashkëpunim na shkruani në lajmetari.tetove@gmail.com.
Si të kuroni dhe parandaloni sëmundjen e humbjes së kujtesës
 Në të gjithë botën, sot vuajnë 44 milionë persona. Por pas disa vitesh të sëmurët do të jenë dyfishi i këtij numri. Alzheimer është një ndër emergjencat më të mëdha mjekësore dhe sociale në planet dhe tashmë cilësohet si sëmundja e shekullit. Është e vërtetë që për këtë sëmundje ende nuk ekzistojnë terapi kuruese, por me zhvillimin e shkencës parandalimi i kësaj sëmundje është i madh. Por edhe ndalimin i avancimit të mëtejshëm i sëmundjes për ata që janë të prekur. Në suplementin e të së shtunës në “Tirana Observer” do të gjeni këshillat se si të ruani trurin tuaj. Nga presioni i lartë i gjakut tek diabeti, ja cilët shkaktarët e kësaj sëmundjeje. Shenjat e para të humbjes së kujtesës dhe si ta kuptoni a jeni edhe ju në rrezik nga kjo sëmundje. Ushqimet që duhet të konsumoni dhe çfarë veprimesh duhet të bëni për të parandaluar humbjen e kujtesës.

Sëmundja
Numri i personave që vuajnë nga sëmundja e Alzheimer (Alzheimer’s disease)- (dobësi mendore e shkaktuar nga pleqëria)-në gjithë botën në vitin 2050 do të rritet deri në 5 herë. Në një konkluzion të tillë arritën ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Sëmundja e Alzheimer-it nuk është quajtur më kot si “Murtajë e shekullit të XXI-të”. Ajo diagnostikohet me vështirësi në stadet e para të zhvillimit të vet, ndërsa me kalimin e kohës i mohon njeriut mundësinë, aftësinë për tu kujdesur për vetveten. Duke shkatërruar qelizat e trurit sëmundja shumëzon me “zero” nivelin intelektual, kurse me kalimin e kohës çon në dobësi të theksuar mentale. Shkak për tu rënë këmbanave të alarmit në lidhje me këtë sëmundje u bë edhe fakti, se në qoftë se më parë ajo quhej short, fatkeqësi e atyre personave që i kishin kaluar të 80-at, këto kohët e fundit sëmundja është “rinuar si tepër në moshë”. Niveli i prekshmërisë nga ajo ra deri tek mosha 40-vjeçare. Por mjekësia është tani për tani ende e pafuqishme ti përgjigjet pyetjes: përse ndodh një gjë e tillë? — thotë Shefja e repartit të Gjerondologjisë të Spitalit Psikiatrik të Moskës Leonora Gaskina: “Shkaqe për këtë ka shumë e shumë. Kjo është e lidhur me mutacionin e gjeneve. Dëmtohet çifti i 21-të i kromozomeve. Në të, duke u shprehur me gjuhë jo mjekësore, ndodh dëmtimi, disfunksionimi i gjenit. Qarkullon një informacion i tillë mjaft interesant: Mendohet se njerëzit me arsim të lartë preken më vonë nga kjo sëmundje. Dhe në qoftë se njerëzit vazhdojnë të bëjnë një jetë aktive, aftësia e tyre mendore nuk goditet, nuk dëmtohet dhe aq fort nga kjo sëmundje. Personat me arsim të lartë preken nga ajo 5 vite më vonë se sa të tjerët. Dhe në këtë kategori njerëzish evidentohen gati 2 herë më pak të prekur nga sëmundja e Alzheimer-it”, thotë Leonora Gaskina.

Historia e sëmundjes

Sëmundja Alzheimer është një gjendje fizike që prek trurin dhe që shkakton dëmtim të kujtesës dhe të të menduarit.
Kjo sëmundje e pakurueshme dhe degjenerative u përshkrua për herë të parë nga psikiatri dhe neuropatologu gjerman Alois Alzheimer më 1906 dhe prej tij sëmundja u emërtua Alzheimer.
Me sëmundjen Alzheimer, mesazhet e trurit që dëmtohen, prishin lidhjen ndërmjet qelizave të trurit. Në këtë mënyrë, qelizat e trurit vdesin dhe kjo do të thotë që infomacioni nuk mundet më që të kujtohet, prodhohet. Ndëkohë që sëmundja Alzheimer prek çdo zonë të trurit, funksione të caktuara humbasin. Kujtimet e kohëve të fundit janë të parat që preken, por ndërkohë që sëmundja zhvillohet, edhe kujtesa afatgjatë dëmtohet. Sëmundja gjithashtu prek edhe shumë funksione të tjera të trurit dhe si pasojë shumë aspekte të sjelljes preken.

Kërkimet për sëmundjen e Alzheimer

Boni është një nga qendrat e kërkimit më të mëdha në Gjermani për sëmundjen e Alzheimer. Dy organizata kërkuese që punojnë këtu: Qendra Gjermane për Sëmundjet Neurodegjenerative (DZNE) dhe Qendra e Avancuar për Studime Europiane dhe Kërkim (CAESAR). Shkencëtarët nga të dy ekipet janë duke punuar për të gjetur një zgjidhje kundër Alzheimerit. Gabor Petzold thotë se ka një lidhje mes Alzheimerit dhe qarkullimit të gjakut
Alzheimer ka shumë ndryshime nga sëmundjet e tjera që prekin sistemin nervor. Sëmundja shkatërron kujtesën e pacientit, veçanërisht pjesë të momenteve të jetuara pak kohë më parë. Gabor Petzold, një kërkues në DZNE, na thotë se çfarë gjërash harrohen: “Ku kam parkuar makinën? Kur bëra pazar për herë të fundit? Kur jam martuar? Në cilin qytet jetoj?”
Mund të drejtoj makinën, por ku është makina?
Pacientët që vuajnë nga Alzheimeri në përgjithësi janë të shëndetshëm fizikisht. Kujtesa e tyre për gjërat e rëndësishme si lëvizjet dhe kontrolli trupit, preket vetëm pasi sëmundja ka avancuar shumë. “Ka gjëra që trupi i ka mësuar, të cilat nuk kanë nevojë për ‘urdhëra të veçantë, si për shembull të ngasësh makinën apo biçikletën, “ thotë Petzold.
Në qelizat nervore janë dy proteina përgjegjëse për sëmundjen: proteina beta -amyloid dhe proteina tau. alzheimeri shfaqet kur përqendrimi i këtyre proteinave rritet, ato më pas grumbullohen dhe depozitohen në pllakat e trurit.
Proteinat beta –amyloid mblidhen jashtë qelizave nervore, ndërsa proteinat tau brenda qelizave. Një gjë e tillë shkatërron kordonin nervor dhe sinapset, që janë përgjegjës për përcjelljen e informacioneve mes qelizave.

Terapitë me efekte negative

Për momentin nuk ka asnjë kurë efektive për sëmundjen e Alzheimerit, por kërkuesit janë duke ndjekur disa pista shpresëdhënëse. Mundësitë e zgjidhjes kanë një të përbashkët: ato kanë si qëllim reduktimin e përqendrimit dhe grumbullimit të dy proteinave, ose duke hequr proteina nga truri ose duke i reduktuar ato atje ku ndodhen.
Një mundësi mund të jetë vaksina, thotë neuro-imunologia Annett Halle nga instituti i kërkimit CAESAR. “

Presioni i gjakut dhe diabeti

Pra siç duket do të duhet ende kohë që një kurim i tillë të përdoret edhe për njerëzit. Por sipas Mandelkoë, njerëzit që tani mund të ngadalësojnë avancimin e sëmundjes duke bërë sport. Në kërkimet e saj ka zbuluar se kaviet që vraponin më shumë, prekeshin më vonë nga skleroza. Presioni i lartë i gjakut dhe diabeti janë edhe dy shkaktarë të tjerë të sëmundjes.
Format e sëmundjes Alzheimer
Ekzistojnë dy lloje të ndryshme të sëmundjes Alzheimer:
•Sëmundja sporadike Alzheimer mund të prekë të rriturit në çfarëdolloj moshe, por zakonisht ndodh pas moshës 65 vjeçare. Kjo është një ndër llojet më të zakonshme të sëmundjes Alzheimer. Kërkuesit janë duke u munduar për të gjetur faktorët gjenetikë dhe mjedisorë që mund të ndikojnë në sëmundjen Alzheimer.
•Sëmundja familjare Alzheimer që është forma më pak e zakonshme në të cilën sëmundja është kaluar direkt nga një brez në tjetrin. Nëse njëri nga prindërit ka një mutacion gjenetik, çdo fëmijë ka një shans prej 50% të zhvillimit të kësaj sëmundjeje. Prezenca e këtij gjeni nënkupton që fëmija ka shumë mundësi që të zhvillojë sëmundjen Alzheimer, zakonisht në moshën 40 ose 50 vjeçare. Megjithatë, kjo lloj sëmundjeje prek një numër shumë të vogël njerëzish.

Cilat janë simptomat?

Në fazat e fillimit, simptomat e sëmundjes Alzheimer mund të jenë shumë delikate. Megjithatë, ato zakonisht fillojnë me vështirësi kujtese dhe me mos gjetjen e fjalëve të përshtatshme për objektet e përditshme.
Simptomat e tjera janë:
•    Vështirësitë e vazhdueshme të memories, veçanërisht për ngjarjet e fundit;
•    Humbja e dukshme e interesit për aktivitetet që më parë ishin të pëlqyeshme;
•    Shpenzimi i madh i kohës për kryerjen e veprimeve të përditshme;
•    Paqartësitë në bisedat e përditshme;
•    Harrimi i njerëzve më të dashur ose vendeve më të frekuentuara;
•    Paaftësia për bërjen e pyetjeve;
•    Përkeqësimi i aftësive sociale; dhe
•    Papërshkrueshmëria emocionale;
Simptomat ndryshojnë dhe sëmundja zhvillohet në mënyra të ndryshme dhe në varësi të personit dhe të zonës së trurit që është prekur. Sëmundja e personit mund të përkeqësohet edhe si rezultat i stresit.
Megjithatë, sëmundja Alzheimer është progresive dhe degjenerative dhe aktualisht është e pakthyeshme.

Çfarë shkakton sëmundja Alzheimer?

Kërkuesit janë duke mësuar me shpejtësi të madhe më shumë rreth ndryshimeve kimike që dëmtojnë qelizat e trurit në sëmundjen Alzheimer, por pavarësisht kësaj, nuk kuptohet se përse një individ e zhvillon sëmundjen Alzheimer dhe një tjetër jo.
Një sërë shkaqesh dyshuese janë duke u investiguar, duke përfshirë faktorët e mjedisit, çrregullimet biokimike dhe proceset imune. Shkaku mund të ndryshojë nga një person tek tjetri dhe mund të jetë si rezultat i një apo shumë faktorëve.

Kush e merr sëmundjen Alzheimer?

Çdo njeri mund ta zhvillojë sëmundjen Alzheimer, por është më e zakonshme pas moshës 65 vjeçare. Mundësia e zhvillimit të demencës rritet me moshën. Për femrat e moshës 65–69 vjeçare demenca prek 1 në 80, krahasuar kjo me meshkujt në 1 në 6. Për meshkujt dhe për femrat e moshës 85 vjeçare e më sipër, norma është afërsisht një person në 4.

Si është diagnostikuar sëmundja Alzheimer?

Deri më tani nuk ekziston një test specifik në përcaktimin e sëmundjes Alzheimer. Diagnoza është përcaktuar nga konsultime të kujdesshme mjekësore. Konsultimi përfshin një detajim të historisë familjare, ekzaminimin fizik dhe neurologjik, një test për funksionin intelektual, një vlerësim psikiatrik, një test neuropsikologjik dhe shpeshherë një test gjaku dhe urine.

Këto teste do të ndihmojnë në eliminimin e gjendjeve të tjera me simptoma të njëjta, siç janë mangësitë ushqimore ose depresioni. Pas eliminimit të shkaqeve të tjera, një diagnozë klinike e sëmundjes Alzheimer mund të bëhet. Diagnoza mund të konfirmohet vetëm pas vdekjes nëpërmjet ekzaminimit të indeve të trurit.
Është e rëndësishme për të patur një diagnostikim të hershëm dhe të përshtatshëm për përcaktimin e diagnozës. Gjendjet e rralla kërkojnë një trajtim specifik.

Si zhvillohet sëmundja Alzheimer?

Shkalla e zhvillimit të kësaj sëmundjeje ndryshon nga një person tek tjetri. Megjithatë, sëmundja nuk sjell një varësi dhe shkaktim të menjëhershëm të  vdekjes. Personi mund të jetojë nga tre deri në 20 vjet me sëmundjen Alzheimer, dhe me një mesatare nga shtatë deri në dhjetë vjet.
***
Studimi, sëmundja Alzheimer gratë më të prekura

Një studim i ri për sëmundjen Alzheimer tregon se gratë janë ato që përballojnë peshën më të madhe të sëmundjes, duke u kujdesur për personat e prekur, por edhe si viktima të sëmundjes.
Sipas Shoqatës amerikane të Alzheimerit, çdo sekondë në botë diagnostikohet një rast i ri i demencës. Një raport i ri pas një studimi të kryer kohët e fundit thotë se rastet e sëmundjes pritet të trefishohen brenda 40 viteve, për shkak se ajo shoqërohet me pleqërinë dhe tani njerëzit në mbarë botën po jetojnë më gjatë.
“Raporti Shriver: Eksperienca e një gruaje amerikane me Alzheimerin” është përgatitur nga Fondacioni i Alzheimerit dhe nga Zonja e Parë e Kalifornisë, Maria Shriver, babai i të cilës vuan nga Alzheimeri, sëmundje me të cilën ai u diagnostikua në vitin 2003.
“60 për qind e personave që preken nga sëmundja janë gra. Gratë po ashtu janë ato që kujdesen për të sëmurët dhe miliona prej tyre punojnë me orar të plotë”, thotë zonja Shriver.
Raporti studion Alzheimerin në SHBA. Ai thotë se gratë përbëjnë thuajse dy të tretat e njerëzve të prekur nga sëmundja. Ato përbëjnë po ashtu 60 për qind të personave që kujdesen për sëmundjen, pa pagesë. Shkencëtarët dhe sociologët po e quajnë Alzheimerin,“sëmundje e grave”.
“Në grupmoshën 75-85 vjeçare ka një numër më të madh grash se sa burrash, prandaj edhe mundësia e prekjes nga sëmundja është më e madhe për gratë”, thotë Dr. Ted Rothstein, neurolog në Qendrën Mjekësore të Universitetit “George Washington”.
Raporti parashikon se amerikanët do të shpenzojnë 20 trilionë dollarë në 40 vitet e ardhshme për Alzheimerin. Ai thekson nevojën për më tepër fonde për kërkime mbi sëmundjen, si dhe një strategji kombëtare për trajtimin e saj.
Dr. Rothstein thotë se duhen zhvilluar më tepër kërkime për dy proteinat (Tau dhe Amiloidet)që akumulohen në trurin e njerëzve që preken nga Alzheimeri.
Me plakjen e popullsisë së botës, numri i personave të prekur nga Alzheimeri pritet të rritet së tepërmi dhe ende nuk ka një kurë për të. Trajtimet ekzistuese vetëm se i lehtësojnë simptomat. Ndërkohë, rastet e Alzheimerit pritet të prekin 80 milionë njerëz në mbarë botën deri në vitin 2040. 60 milionë prej tyre do të jenë në vendet në zhvillim dhe numri më i madh i tyre do të jenë gra, të cilat nuk do të kenë mundësi të marrin mjekimet e nevojshme.
****
Këshilla dhe rekomandime për të evituar sëmundjen e moshës së tretë
Humbja e kujtesës, 11 shenjat e para

Sëmundja e Alzheimerit, ose ndryshe siç njihet më shpesh humbja e kujtesës, lind pas moshës 65-vjeçare. Përqindja e popullsisë që preket në këtë moshë është rreth 10%. Pas kësaj moshe përqindja e popullsisë që preket rritet 2% çdo vit, për të arritur rreth 50% në moshën 85-vjeçare. Sipas specialistëve sëmundja ka raste qe lind edhe para moshës 65-vjeçare. Sindroma e Alzheimerit nuk varet nga vendi ku personi jeton. Përqindjet e popullsisë që kap janë të njëjta pothuajse në gjithë botën. Prandaj në Shqipëri këta pacientë janë në proporcion me popullsinë tonë, po aq saç janë në Itali, SHBA etj.
Simptomat

Simptoma me e njohur e kësaj sëmundjeje është harresa, por simptomat janë të shumta. Zakonisht sëmundja fillon me harresa gjithmonë e më të mëdha, të cilat në fillim kanë karakter minimal dhe me kalimin e kohës bëhen gjithmonë e me shqetësuese. Duhet pasur kujdes të mos ngatërrohen harresat normale me ato harresa që përbëjnë sëmundje. P.sh. është harresë normale të mos mbash mend ku ke parkuar makinën në parkingun e supermerketit, por është një harresë patologjike të kthehesh në shtëpi pa makinë sepse ke harruar që kishe shkuar me makinë. Të sëmurët me Alzheimer kanë një karakteristikë që e bën më të vështirë diagnostikimin e tyre. Në përgjithësi nuk e pranojnë kurrë se janë sëmurë. Prandaj pacientë të tillë zakonisht vijnë të shoqëruar nga ndonjë familjar. Bëjnë batuta për të zhvlerësuar pse janë në spital dhe i duket e çuditshme sesi p.sh gruaja, është fiksuar qe ai ka probleme. Pra ndihen tërësisht në rregull në vetvete. Vetëm testet e ndryshme (të cilat në Shqipëri me siguri janë në lindje e sipër) mund të nxjerrin në pah deficitin e madh. Simptoma e dytë interesante e kësaj sëmundje është anomia, pra mos gjetja e emrave dhe fjalëve gjatë diskutimeve. Kjo simptomë, në fakt, përbën simptomën e dyte kryesore me të cilën Alzheimeri mund të lindë. Në ato pak raste që sëmundja nuk fillon me harresa, ajo më së shumti fillon me probleme gjuhësore. Sëmundja bën që me kalimin e kohës pacienti të evitojë gjithmonë e më shumë fjalët që nuk i gjen dot dhe të përdorë sinonime dhe përshkrime të gjata për gjëra që kanë fjalën e vet. Simptoma e tretë është çorientimi kohor dhe hapësinor. Ndodh që kur pyet pacientë si këta në çfarë muaji jemi mund t’ia fusë kot fare. E gjithë kjo, me normalitetin që karakterizon gjithë eksperiencën e pacientëve të këtij lloji. Simptoma të tjera janë: Humbja e kapacitetit të gjykimit logjik, ndryshime të çuditshme të humorit, ndryshim i personalitetit (këtë e ve re mirë kush ka shume vite që jeton me personin),humbje e dëshirës dhe iniciativës për të bërë shumë gjëra. Nuk duhet ngatërruar me rënien e aktivitetit të moshës së plakur. Është krejt anormale që një i moshuar të humbasë interesin për çdo gjë. Të gjitha këto simptoma lindin në periudha të ndryshme kohore dhe nuk kanë një periudhë të caktuar kohore. Ajo që është më e vazhdueshme në të gjithë rastet e sëmundjes është fillimi me harresa, me probleme gjuhësore ose me probleme të detyrave të thjeshta motore (zbërthim i këmishës etj).

Shkenca ende s’ka zbuluar pse lind sëmundja

Sot akoma nuk dihet pse vjen kjo sëmundje, por megjithatë janë hedhur hipoteza të ndryshme: Sipas një varianti thuhet që lindja e sëmundjes është gjenetike: Në disa raste Alzheimeri pacientet kanë rezultuar me një mutacion në kromozomin 21. Ky kromozom është dhe ai që shkakton sëmundjen Down e cila vazhdon me Alzheimer pas moshës 40 vjeç. Shkencëtarët mendojnë,se sëmundja mund të jetë edhe virale. Ata mendojnë se virusi hyn nga hundët për të kaluar në receptorët e erës e më pas në bulbet e erës (brenda trurit) e më pas në pjesën më të madhe të trurit. Kjo hipotezë mbështetet në goditjen e disa pjesëve të caktuara të trurit ku shenjat e Alzhiemerit rezultojnë të theksuara gjatë autopsisë neuro anatomike. Hipoteza e  aluminit: Në trurin e pacienteve janë gjetur nivele të larta alumini. Gjithashtu disa kripëra alumini të vendosura në koren e trurit të disa kafshëve kanë krijuar matëse neurofibrillare.
Sistemi imunitar, prodhon antitrupa për sëmundje
Sipas specialistëve të kësaj fushe, sistemi imunitar në një periudhë të caktuar të jetës fillon të prodhojë antikorpe që shkatërrojnë neuronet që përdorin si neurotrasmetitor acetilcolinen. Zakonisht truri është komplet i izoluar nga substancat që kalojnë në gjak. Çdo enë gjaku që shkon në tru vishet me degëzimet e qelizave gliale të cilat lejojnë kalimin e substancave të caktuara, dhe nuk lenë të kalojnë pjesa më e madhe e substancave dhe agjenteve patogjene. Kjo hipotezë hedh idenë e një kolapsi të barrierës e cila fillon të mos punoje si më parë, duke lënë të kalojnë agjentë patogjene toksike që vdesin neuronet. Deri me sot nuk ekziston një diagnoze e sigurt. Pothuajse të gjithë doktorët në vendet perëndimore nuk diagnostikojnë asnjë pacient që vuan nga humbja e kujtesës. E vetmja siguri se sëmundja është pikërisht ajo, merret pas vdekjes, me një autopsi të trurit.

Simptomat shfaqen një nga një gjatë viteve

Simptomat e sëmundjes nuk janë akute, por zhvillohen avash-avash me kalimin e kohës. Kjo bën që familjaret mos ta vënë re sëmundjen dhe të justifikojnë çdo gjë me moshën e thyer. Në Shqipëri imagjinoj se kur personat arrijnë në dyert e spitalit, sëmundja do jete shumë më e avancuar. Për një diagnostikim të mirë duhet parë historia e familjes, nëse ka raste të tjera. Një faktor tjetër i rëndësishëm janë BioImazhet. Në Shqipëri këto kanë hyrë vetëm vitet e fundit. Zakonisht truri i këtyre pacienteve mund të jetë pak i atrofizuar dhe kjo duket me rezonancë manjetike. Kjo metodë e tregon trurin shumë qartë.
85 % e të moshuarve vuajnë nga skleroza

Rreth  85 për qind e gjashtëdhjetëvjeçarëve në të gjithë të botën vuan nga humbja e kujtesës. Kjo përbën një nivel epidemiologjik shumë të lartë. Sistemet shëndetësore të vendeve perëndimore kanë humbje shumë të mëdha prej kësaj sëmundjeje. Ndërkohë që sipas specialistëve rreth moshës 40-vjeçare nisin të shfaqen simptomat e parë të humbjes së kujtesës. Simptomat vijnë si rezultat i dëmtimit të qelizave nervore, të cilat ngadalësojnë përcjelljen e sinjalit për në tru dhe anasjelltas. Jo pak por 11 simptoma janë karakteristika për të gjithë pacientët që vuajnë nga humbja e kujtesës. Kryesisht ato kanë të bëjnë me ngatërrimin e emrave, me vështirësi në lexim, personi bëhet konfuz, si dhe nuk arrin të shkruajë normalisht. Ndërkohë që 2 për qind e popullsisë çdo vit preket se sëmundja e humbjes së kujtesës.
Shenjat e sëmundjes

1-Memoria humbet çdo ditë e më shumë.
2-Personi ka probleme gjuhësore (harron fjalët përkatëse dhe përdor të tjera në vend të falës së duhur).
3-Pjesën më të madhe të kohës është konfuz.
4- Gjërat e reja i mban mend me shumë vështirësi.
5-Mund të ketë konfiguracione, (nuk di të bëjë llogaritë).
6-Nuk arrin të shkruajë normal).
7-Mezi lexon.
8-Ka vështirësi në veshjen e rrobave të trupit.
9- Me kalimin e kohës pacienti humb interesin në gjerat që e rrethojnë dhe bëhet tërësisht konfuz.
10-Mund të ketë dhe aluçinacione, probleme me urinimin dhe jashtëqitjen (inkontinence).
11-Në fund fare pacienti humb edhe kontrollin e trupit të vet thuajse në çdo aspekt.
********

Alzheimer: Luleshtrydhe dhe kastravecë për ta parandaluar

Ashtu siç është këshilluar nga një studim i fundit, disa substanca te frutat dhe perimet dhe më konkretisht te luleshtrydhet dhe kastravecët mund të reagojnë kundër humbjes së kujtesës dhe të sëmundjes Alzheimer
Në studimin e ri të publikuar në revistën shkencore Aging Cell thuhet se frutat dhe perimet dhe veçanërisht luleshtrydhet, boronica dhe kastravecët, ndihmojnë kundër humbjes së kujtesës që manifestohet te pacientët e prekur nga dementia dhe sëmundja e Alzheimer. Shkak për këtë studim u bë një substancë e gjetur te bimët, që vepron kundër humbjes së kujtesës dhe dëmtimeve konjiktive në kafshët e përdorura për këtë studim, i kryer nga hulumtuesit e Institutit Salk për Studimet Biologjike në Kaliforni.
Kërkuesit, duke i injektuar një grupi minjsh me simptomat e Alzheimer një dozë ditore prej Fisetine, një flavanol natyral e familjes flavonoide, kanë zbuluar se kjo substancë ka penguar përkeqësimin e kujtesës dhe të të mësuarit.
Megjithatë substanca e injektuar nuk ka ndryshuar formimin e pllakave amiloide në tru, d.m.th ato substanca që “akuzohen” si një rrënja biologjike e sëmundjes Alzheimer. Pavarësisht kësaj, rezultatet e studimit sugjerojnë që për trajtimin e sëmundjes Alzheimer mund të ndërhyhet pa marrë parasysh praninë e pllakave amiloide.
“Ne e kishim treguar edhe më parë që te kafshët normale, fiestina mund të përmirësojë kujtesën. Por në këtë studim, ne kemi demonstruar gjithashtu se ajo mund të ketë një efekt edhe te kafshët që janë të rrezikuara nga sëmundja Alzheimer”, shpjegon doktoresha Pamela Maher, autorja kryesore e studimit. Studiuesja i referohet një studimi të kryer më shumë se dhjetë vjet më parë, nëpërmjet të cilit kishte zbuluar se fisetina ndihmon në mbrojtjen e neuroneve të trurit nga efektet e plakjes. Maher dhe kolegët e saj nëpërmjet metodës laboratorike edhe asaj eksperimentale te kafshët kanë gjetur se, përbërësi ka efekte jo vetëm antioksidante por edhe antiinflamatore te qelizat e trurit.
“Ajo që ne kuptuam është që fisetina ka një lloj të madh proteinash, të cilat nëse i marrin, mund të jenë të dobishme edhe në rastin e sëmundjes Alzheimer. Ndërkohë, në momentin e eksperimentimit te kafshët, edhe pse sëmundja përkeqësohej, fisetina ishte në gjendje që të vijonte të parandalonte sëmundjen”, përfundon Maher.
*****
Kafeja dhe çaji ulin me 50 % riskun e krijimit të Alzheimerit

Duke folur për studimet e realizuara rreth Alzheimerit doktor Javuz  vlerësoi studimet e neurologëve zviceranë dhe finlandezë të cilët për 10 vite me radhë kanë analizuar 1400 të sëmurë. ”Në fund të studimit 10-vjeçar neurologët zviceranë dhe finlandezë arritën të zbulonin që kafeja dhe çaji ulin me 50 % riskun e zhvillimit të sëmundjes së Alzheimerit. Në studimin kur morën pjesë 1400 të sëmurë bëhet e ditur se personat të cilët konsumonin 3-5 filxhana kafe në ditë rrezikoheshin 50 % më pak se personat që nuk e pinin kafenë.
Kafeina që përmban kafeja pakëson ndjeshëm mbledhjen e beta amiloidit i cili luan një rol kyç në krijimin e Alzheimerit dhe në këtë mënyrë mendohet se parandalohet zhvillimi i kësaj sëmundjeje.
Shumë studime kanë treguar se kafeja mbron sistemin nervor dhe me anë të kafeinës që përmban luan një rol ekuilibrues, rregullator të sistemit. Njihen dhe efektet pozitive të saj në forcimin e memories. Nuk është thënë kot se duhet të pish shumë kafe për të qëndruar zgjuar dhe në formë. Krahas kësaj mendohet se kafeja luan një rol mbrojtës ndaj sëmundjeve si diabeti, parkinsoni dhe ndaj sëmundjeve të mëlçisë.
*****
Alzheimeri nxitet duke ngrënë “mbeturina”
Ashtu si edhe për diabetin, insulina mund të ketë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e sëmundjes

E përjavshmja “New Scientist” së fundmi i ka kushtuar një vëmendje të veçantë artikullit të titulluar: “Ushqim për trurin. Ajo që hani mund t’ju vrasë trurin”. Ky artikull i gjatë nxjerr në pah përfundimet e kërkimeve të viteve të fundit që kanë treguar një lidhje mes diabetit të tipit 2 dhe Alzheimerit, sëmundje të cilat kanë të përbashkët rezistencën ndaj insulinës si armikun numër një. Lidhja mes dy sëmundjeve është kaq e fortë saqë ka nga ata që përcaktojnë Alzheimerin si “diabeti i tipit 3”, që godet trurin.
Faktori nxitës është dieta e pasur me yndyra dhe sheqerna, që duke u konsumuar për një kohë të gjatë zhvillon fenomenin e rezistencës ndaj insulinës, gjë që ka efekte jo vetën në tru por kontribuon edhe në formimin e atyre pllakave amiloide që janë përgjegjëse për dëmtimin e disa funksioneve cerebrale si kujtesa dhe orientimi, tipike të sëmundjes së Alzheimerit.
Insulina është një hormon, që kryen një sërë funksionesh: jo vetëm që rregullon nivelin e sheqerit në gjak, por ndihmon edhe neuronet të përdorin glukozën, si burim energjie dhe ndikon në elasticitetin e tyre, duke u lejuar atyre të formojnë lidhje të reja. “Insulina është e rëndësishme, sepse bën të mundur mbijetesën e qelizave”, thekson një studiuese. “Kur shfaqet sëmundja e Alzheimerit, peptidi amiloid shkakton vdekjen e qelizave, ndërkohë që insulina e pengon atë. Kur në sëmundjen e diabetit ka rezistencë ndaj insulinës, qelizat preken më pak dhe efekti mbrojtës kundër mekanizmave të vendosura nga Alzheimeri humbet”.
Studiuesja ka qenë një ndër autoret e një studimi të rëndësishëm të publikuar në revistën “Aging Cell”, ku së bashku me kolegët e saj ka treguar se ngjashmëria e insulinës, në një sistem “in vitro”, i bën të kthyeshme efektet e proteinës A-beta mbi qelizat cerebrale (pllakat e famshme). “Insulina shkakton një sërë reaksionesh biokimike, që anulojnë efektin degradues të A-betas dhe neuronet e dëmtuara janë në gjendje të rivendosin funksionet e tyre”.
Për të gjetur një kurë efektive për Alzheimerin do të nevojitet shumë kohë, megjithatë ne mund të flasin për parandalim ose ngadalësimin e sëmundjes. “Një dietë e pasur me vitamina dhe antioksidantë natyralë që gjenden te frutat dhe zarzavatet është mbrojtëse”, siguron ekspertja. “Edhe acidet yndyrore Omega-3, që ngadalësojnë formimin e radikaleve të lira, janë aleatë. Studimet kanë treguar se antioksidantët janë të rëndësishëm për të ngadalësuar sëmundjen e Alzheimerit. Përveç të tjerash bëhet fjalë për një pleqëri, që rrallëherë shfaqet para moshës 60-vjeçare. Kështu gjithçka që ngadalëson plakjen e qelizave, ngadalëson edhe Alzheimerin”, shton ajo.
Që dieta dhe një mënyrë e shëndetshme e jetesës kanë efekt mbrojtës, këtë e tregojnë studimet e kryera te 100-vjeçarët që nuk shfaqin shenja demece. “Këta persona konsumojnë shumë fruta dhe zarzavate të mbjella në kopshtin e shtëpisë, i shoqërojnë me vaj ulliri të shtypur vetë dhe kështu bëjnë një jetë të shëndetshme gjatë gjithë rrugëtimit. Duke vepruar në këtë mënyrë kanë edhe një plakje të shëndetshme”.
Artikulli i “New Scientist” shfaq një karakter pak dramatik kur, duke folur për epideminë e obezitetit në SHBA, që është përkufizuar si epidemia e diabetit të tipit 2, thekson se epidemia pasardhëse kur diabetikët të plaken, do të jetë ajo e sëmundjes së Alzheimerit, që për momentin ka prekur 44 milionë persona në botë.
Për të gjithë ata që e pëlqejnë shumë ushqimin dhe e kanë të pamundur të heqin dorë prej tij, duke ndryshuar dietën, është një hap i rëndësishëm për sa i përket parandalimit: “Nëse procesi ka nisur mund të ngadalësohet, nëse nuk ka filluar mund ta vonojë shfaqjen”, shton studiuesja. Po aktiviteti fizik? Një studim i publikuar tek “Annals of Internal Medicine” tregonte se aktiviteti i rregullt fizik ulte deri në 40% rrezikun e prekjes nga Alzheimer. “Fizkultura ju ndihmon të reduktoni sasinë e yndyrave dhe sheqernave në trup. Po ashtu përmirëson qarkullimin e gjakut, parandalon sëmundjet kardiovaskulare, që nëse janë të pranishme në trup, mund të shkaktojnë patologji cerebrale. Aktiviteti fizik, mbi të gjitha është oksigjen për trurin”, përfundon ajo.

Veze Sharri dhe Lecker

Më të lexuara