Sërish shtyhet projekti për Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës

/ On : 06:09/ Ju falënderojmë për vizitën në këtë faqe.Për bashkëpunim na shkruani në lajmetari.tetove@gmail.com.

Fillimi i punimeve për ndërtimin e kompleksit të Bibliotekës dhe Teatrit të Tetovës që parashikohej të niste në fillim të këtij viti, sërish do të shtyhet. Si shkak këtë herë është bërë një vendim i Qeverisë, sipas të cilit, procedurat tenderuese do të duhet të kalojnë me dy përzgjedhje. Pas tenderit të parë për zgjedhjen e kompanisë që do të realizojë ndërtimin, e që pritet të përfundojë këtë javë, do të duhet të shpallet edhe një tjetër tender që do të zgjedhë ofertën më të leverdishme financiare. Nëse gjithçka do të ecë sipas parashikimeve, në fund të muajve të verës mund të pritet që të fillohet me projektin në terren, në të kundërt – fillimi i punimeve mund të shtyhet edhe për vitin e ardhshëm.
Shtyrja e afateve për ndërtimin e kompleksit, i cili sipas deklaratave nga ana e Ministrisë së Kulturës duhej të niste në prill të vitit 2011, është bërë me pretekstin e përpilimit të një projekti të patëmetë nga ana teknike, por që nuk përligji vonesat dhe ngecjet për disa vite me radhë. Madje, edhe vendi ku do të ndërtohet objekti nuk i ngjan një sheshi ndërtimi, për shkak se ende nuk janë prishur barakat që gjenden në atë zonë. Drejtori i Qendrës së Kulturës, Haki Fazliu thotë se këto ditë do të zgjidhet kompania e cila do të fitojë të drejtën për të ndërtuar kompleksin. “Pas përfundimit të këtij tenderi, do të duhet të shpallim edhe një tjetër me të cilin do të zgjedhim ofertën më të mirë financiare. Kjo është një kërkesë që na është bërë nga Qeveria dhe nëse gjithçka do të shkojë si duhet, themi se deri në fund të muajit korrik – mund të jemi gati për të nisur punimet në terren”, thotë Fazliu. Për ndërtimin e objektit janë kandiduar më shumë se 30 kompani, mes të cilave ka edhe kompani të huaja.
Projekti parashikon ndërtimin e një objekti katërkatësh të dedikuara për teatrin dhe bibliotekën, kinema, si dhe hapësira për veprimtari të tjera artistike, si dhe garazhe nëntokësore. Kostoja e përgjithshme financiare do të jetë rreth 15 milionë euro, ndërsa punimet do të zgjasin dy vjet. Për këtë vit, Qeveria ka ndarë 70 milionë denarë. “Realizimi i projekteve të tilla kapitale është prioritare për ne. Në seancën e saj Qeveria miratoi vendimin për shpalljen e tenderit që do të zgjedhë kompaninë që do të ndërtojë Teatrin dhe Bibliotekën dhe presim që procedurat të kryhen brenda afateve”, thotë zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha. Ndërtimi i Bibliotekës dhe Teatrit si iniciativë ka nisur prej më shumë se tetë vjet. Në fillim ishte PDSH ajo e cila përpiloi një projekt të tillë, që nuk u përkrah nga Komuna e Tetovës, e cila nuk jepte lejen e ndërtimit. Disa vite më vonë një projekt tjetër sërish u aktivizua nga BDI.

Veze Sharri dhe Lecker

Më të lexuara