Japin barkun me qira

/ On : 06:01/ Ju falënderojmë për vizitën në këtë faqe.Për bashkëpunim na shkruani në lajmetari.tetove@gmail.com.

Surrogacia përbën një industri vitale në Indi – që nga viti 2002, kur ai është legalizuar në këtë vend, biznesi i surrogacisë ka siguruar më shumë se 400 milionë dollarë për çdo vit. Ato janë quajtur “fabrika të bebeve”, duke ngjallur përfytyrime të femrave të varfra dhe analfabete, dhe të detyruara nga bashkëshortët për të mbajtur fëmijë surrogatë për perëndimorët.
Dhe, ato përbëjnë një industri vitale në Indi – që nga viti 2002, kur surrogacia është legalizuar në vend, një studim i mbështetur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara ka llogaritur se biznesi i surrogacisë ka siguruar më shumë se 400 milionë dollarë për çdo vit, ka shkruar The Daily Beast. Më shumë se 3.000 klinika fekondimi operojnë në mbarë Indinë, dhe disa prej tyre mund të jenë mjaft gjigante. Doktoresha Nayna Patel – e cila njëherë është paraqitur në emisionin bisedues të Oprah Winfreyt në Shtetet e Bashkuara dhe e cila është quajtur “nëna e surrogacisë” në Indi – thotë se planifikon të hapë një klinikë të madhe, që do të strehojë qindra femra indiane, bashkë me dhoma të lindjes, një departament të fekondimit in-vitro, e madje edhe restorante dhe dyqane.
Teksa çiftet paguajnë mesatarisht 25.000 deri në 30.000 dollarë për tërë procedurën, ndërsa Patel i paguan surrogatet e saj rreth 6.500 dollarë, lehtë mund të thuhet se ajo është duke fituar bajagi shumë. Që nga viti 2004, në klinikat e saj janë lindur më shumë se 650 bebe. Ajo thotë se është feministe dhe se veprimtaria e saj mund të konsiderohet si “ndihmë nga një femër për një tjetër”.
Kritikët e Patelit nuk janë aq pozitivë kur diskutojnë për industrinë ndërkombëtare të surrogacisë. Përderisa mbështetësit e saj thonë se surrogacia i ndihmon femrat, duke iu dhënë atyre para për t’i mbështetur familjet e tyre dhe për t’i përmirësuar jetët e tyre – duke mos harruar sjelljen e një bebe në një familje tjetër – kritikuesit e quajnë industrinë indiane të surrogacisë si biznes mizor dhe manipulues, i cili i keqpërdor femrat e pafuqishme në shoqëritë e dominuara nga meshkujt.
Crystal Travis, nga Merilendi i Shteteve të Bashkuara, ka tre fëmijë që i janë lindur në klinikat e Patelit. Që kur janë lindur fëmijët e saj, Travis është bërë shumë e angazhuar në surrogacinë ndërkombëtare dhe madje ka nisur shërbimin e saj këshillues Bota e Surrogacisë në vitin 2010. Ajo thotë se për shumë femra në mbarë botën, surrogacia ndërkombëtare është një reagim ndaj vështirësisë së të adoptuarit. Produkt i adoptimit dhe i sistemit të birësimit vetë, ajo thotë se shumica e njerëzve para se të zgjedhin opsionin e surrogacisë e shqyrtojnë atë të adoptimit, të cilin ata e vlerësojnë të pasigurt dhe të komplikuar. “Njerëzit duhet ta kenë mundësinë, nëse atyre ua mban xhepi, që të kenë një fëmijë i cili është gjenetikisht i lidhur me ta”, shprehet ajo.
Prindërit e ardhshëm kanë mjaft opsione, vetëm disa klikime larg. Një kërkim për surrogate indiane në ueb-sajte të surrogacisë të jep qindra rezultate. Sree, 25-vjeçare, nga Bidhna Nagar, thotë: “Jam amvise, dua ta ndihmoj bashkëshortin tim… bëj çfarëdo që më kërkohet”. Babita, 23-vjeçare, nga Delhi, është shumë e sinqertë: “Kam nevojë për para. I përkas një familje të varfër”.
“Express”

Veze Sharri dhe Lecker

Më të lexuara