Kurat për sëmundjet e zemrës, mushkërive, astmës dhe gripit

/ On : 09:27/ Ju falënderojmë për vizitën në këtë faqe.Për bashkëpunim na shkruani në lajmetari.tetove@gmail.com.

Sëmundjet që përkeqësohen në dimër, mjekët: Si t’i parandalojmë


Gjatë dimrit organizmi dhe zemra punojnë më shumë për të përballuar të ftohtin. Kjo mund të jetë veçanërisht e rrezikshme për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. Ndërsa kushtet e motit duket se nuk janë aspak favorizuese, pasi do të ketë përsëri një ulje të temperaturave me 3 deri në 4 gradë celsius, specialistët japin këshillat sesi mund të parandalohen sëmundjet që përkeqësohen në dimër. Në suplemenetin e të së shtunës në gazetën “Tirana Observer” shpjegohen se cilat janë disa nga sëmundjet që mund të shfaqen ose përkeqësohen si pasojë e të ftohtit në dimër dhe masat që duhet të merren për trajtimin e tyre. Disa nga sëmundjet që shfaqin më shumë probleme në këtë stinë janë: sëmundjet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes: skuqje apo dhimbje deri në infeksion të bajameve, veshëve, hundës dhe sinuseve (sinuzite); sëmundje të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes: gripi dhe viroza të ndryshme, acarim i astmës deri në infeksione të mushkërisë; dhimbje koke si pasojë e spazmave/ngushtimit të enëve të gjakut në kokë; rritje e tensionit arterial dhe përkeqësim të tij te të sëmurët kronikë; shtrëngime deri në infarkte të zemrës; probleme të qarkullimit të gjakut, si: morthi, scleroderma etj; fraktura, ndrydhje dhe dëmtime të tjera si pasojë e rrëshqitjeve në akull. Ndaj këshillohet të ecni me kujdes e hapa të vegjël dhe duart duhet të mbahen jashtë xhepave; ngrirjet e ekstremiteteve (koka, këmbët e duart) deri në amputime të tyre.
Parandalimi
Nëse sëmureni me grip apo një nga virozat e stinës, përdorni medikamente për të ulur temperaturën, Paracetamol kur ajo të rritet mbi 38-38,5°C. Nëse temperatura zgjat për më shumë se 5 ditë dhe është mjaft rebele, atëherë drejtohuni te mjeku i familjes. Për të qetësuar kollën, përdorni qumësht me mjaltë, çaj me sherebelë, dafinë, bli etj. dhe ajrosni herë pas here ambientet. Ushqehuni më mirë dhe me sa më shumë lëng mishi, fruta, perime, duke mos harruar edhe shtimin e lëngjeve. Futini këmbët në ujë të ngrohtë për 10 minuta në darkë, mos përdorni antibiotikë, pa këshillën e mjekut. Në rastet kur temperatura e pacientit vazhdon të mos bjerë, fillon të shfaqet vështirësia në frymëmarrje, dhimbje veshi, fyti, koke, apo kraharori dhe gjendja e përgjithshme rëndohet, atëherë mund të keni një infeksion të rrugëve të sipërme apo të poshtme të frymëmarrjes, të cilat kërkojnë trajtim me antibiotikë, bronkodilatatorë etj., ndaj duhet të konsultoheni patjetër me mjekun tuaj. Nëse ju shfaqet apo vuani me rritje të tensionit arterial (hipertension mbi 140/90 mmHg) apo shtrëngim në zemër drejtohuni menjëherë te mjeku dhe këshillohuni për dozat dhe llojin e medikamenteve. Qëndroni në ambiente të ngrohta. Evitoni daljet në orët më të ftohta të ditës, pasi sa më e ftohtë temperatura e ambientit, aq më shumë vështirësohet puna e zemrës. Mos përdorni pije alkoolike për t’u ngrohur, por çajëra, apo ushqime të ngrohta. Alkooli ul vigjilencën dhe pengon aftësinë për t’u mbrojtur nga i ftohti. Nëse keni probleme të qarkullimit të gjakut, si: morthi, scleroderma etj. nuk duhet të dilni nga shtëpia pa përdorur kremrat e këshilluar nga mjeku dhe duhet të mbani sa më ngrohtë pjesët e ekspozuara, duke përdorur dorashka leshi, shall, kapuç etj. Nëse qëndroni gjatë në të ftohtë, organizmi juaj nuk arrin të prodhojë aq nxehtësi sa harxhon dhe ju do të filloni të vuani nga hypothermia ose ulja e temperaturës dhe me kalimin e kohës do të ndiheni të lodhur, të mpirë dhe konfuzë. Kjo pasi si pasojë e ngushtimit të enëve të gjakut në tru; ai fillon të mos mendojë qartë dhe pastaj lëvizjet fillojnë të ngadalësohen deri kur temperatura e trupit të bjerë nën 35° C deri në ngrirje. Shenjat e para të ngrirjes janë mungesa e ndjeshmërisë, skuqja dhe dhimbjet në indet e lëkurës dhe nënlëkurës në ekstremitete (kokë, këmbë e duar) dhe zonat më të ekspozuara si fytyra, veshët etj. Në raste të tilla nuk duhet të masazhohen pjesët e ngrira, por duhet të futeni menjëherë në një ambient të ngrohtë dhe të pini pije të ngrohta që të rrisin temperaturën e trupit, duke evituar përdorimin e alkoolit. Kujdes nëse lëkura merr ngjyrë të zbehtë deri në të verdhë-jeshile, pasi mund të shkojë deri në gangrenizim që kërkon dhe amputimin e tyre. Nëse rrëzoheni në ngrica dhe pësoni ndrydhje apo fraktura, thërrisni menjëherë ambulancën dhe drejtohuni në spital për ndihmë të specializuar.

Ilaçet
Duhet të konsultoheni me mjekun për ndryshimin e dozave nëse merrni medikamente për:
a. sëmundjet kardio-vaskulare (tension të lartë gjaku, sëmundje të zemrës, apo enëve të gjakut), pasi gjatë të ftohtit këto sëmundje përkeqësohen ndjeshëm;
b. por edhe për sëmundje si epilepsia, pagjumësia, ankthi, hipotiroidizmi etj. (qetësues, antiepileptikë, hormone etj.), pasi këto medikamente ndërhyjnë në qendrën e rregullimit të temperaturës në tru dhe ju mund të mos jeni më vigjilent ndaj të ftohtit dhe të mos e ndjeni që tashmë po ngrini.

Sëmundjet që shfaqin probleme
1. Sëmundje të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes: skuqje apo dhimbje deri në infeksion të bajameve, veshëve, hundës dhe sinuseve (sinuzite).
2. Sëmundje të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes: gripi dhe viroza të ndryshme, acarim i astmës deri në infeksione të mushkërisë.
3. Dhimbje koke si pasojë e spazmave/ngushtimit të enëve të gjakut në kokë.
4. Rritje e tensionit arterial dhe përkeqësim të tij te të sëmurët kronikë.
5. Shtrëngime deri në infarkte të zemrës.
6. Problem të qarkullimit të gjakut, si: morthi, scleroderma etj.
7. Fraktura, ndrydhje dhe dëmtime të tjera si pasojë e rrëshqitjeve në akull.
8. Ngrirjet e ekstremiteteve deri në amputime të tyre.

Kategoritë më të rrezikuara nga i ftohti
Fëmijët: Sa më të vegjël ata, aq më shumë rrezikojnë nga uljet e temperaturës dhe sëmundjet, ndaj evitoni në maksimum daljet dhe siguroni një temperaturë konstante në shtëpi. Për bebet nën 6 muaj, nëse sëmuren, drejtohuni menjëherë te mjeku.
Të moshuarit që rrezikojnë të pësojnë fraktura kockore dhe të kenë vështirësi në frymëmarrje, rritje të tensionit apo shtrëngim në zemër dhe pjesën e prapme të kraharorit.
Të sëmurët kronikë, sidomos ata me sëmundje të zemrës dhe hipertension, apo me sëmundje pulmonare.
Shtatzënat kërkojnë gjithashtu përkujdesje të veçantë gjatë ditëve të ngricave.
Të gjithë këta persona (përveç foshnjave nën 6 muajsh) për t‘u mbrojtur nga virozat e ndryshme të stinës së ftohtë, duhet të vaksinohen me vaksinën antigrip vit pas viti.

Veze Sharri dhe Lecker

Më të lexuara