Rudolf Stambolla: Pse Little Tony ishte këngëtari im i preferuar

/ On : 07:35/ Ju falënderojmë për vizitën në këtë faqe.Për bashkëpunim na shkruani në lajmetari.tetove@gmail.com.


Flet Rudolf Stambolla, këngëtari i tangos shqiptare 

Intervistoi: Oralda Lahe


Rudolf Stambolla është një këngëtar me një zë të veçantë dhe emër i suksesshëm i muzikës shqiptare. Në krijimtarinë e tij muzikore numërohen disa këngë “Kur bien gjethet në vjeshtë”, “Këndo kitara ime”, “Dashuria e parë”mes tyre dhe duete. Angazhimet e tij në radio Tirana kanë nisur në shtatorin e vitin 1957. Më pas ai do të rezultonte i suksesshëm me pjesëmarrjen në Festivalin e Parë të Radio Tiranës. Aktualisht, Rudolf Stambolla është 80 vjeç dhe pavarësisht moshës ai ruan kujtimet dhe vitalitetin e një artisti të vërtetë.

Çdo artist ka një pikënisje në rrugën e tij artistike. Si ka nisur rrugëtimi tuaj në fushën e muzikës?

Fillimet e mia kanë qenë fare spontanisht isha i vogël rreth moshës 12 vjeç në një konvikt në Shkodër. Mes fëmijëve të tjerë të cilët këndonin të gjithë së bashku më dalluan dhe mua dhe në një skenë të improvizuar kam kënduar këngën e Salepit. Kënga ishte humoristike me kompozim të Pjetër Gjinit, i cili shkruante poezi dhe përkthente nga italishtja në shqip. Më pëlqeu kënga dhe e këndova por më pas kjo gjë u ndërpre. Të them të drejtën, unë jam marrë me teatër në Tiranë duke luajtur disa pjesë teatrale. Në vitin 1957 është krijuar Teatri Popullor po në të njëjtë kohë dhe Estrada, duke u krijuar një teatër gjysmë profesionist. Në disa qytete të vendit si në Durrës, Vlorë, Shkodër, Elbasan dhe Korçë mbanin katër apo pesë aktorë. Megjithatë, sot ka mundësi dhe media po zhvillon emisione enkas për muzikën shqiptare. Pasi në atë kohë kishte vetëm radio dhe nuk dukeshin me figurë dhe televizioni doli në vitet 60-62.

Si e kujtoni pjesëmarrjen tuaj në Festivali e Parë të Radio Tiranës?

Festivali i Parë dhe i Dytë ishte në Radio Tirana, jo në televizion. Madje unë nuk kam asnjë kujtim me foto në daljet e mia në skenë. Festivali nisi më vonë po fillimet e mia ishin në shtator të vitit 57-të pasi ishte një mendim, atë kohë se u grumbullua Radio Tirana që të krijohej një grup institucional. Përmend këtu disa emra si Baki Kongoli, Abdylla Grimci, Tasim Oshafi, Vas Çangu e shumë emra të tjera. Qëllimi kryesor ishte krijimi i një orkestracioni muzikor. Fillimisht u krijua një kuartet instrumental i krijuar nga Agim Prodani njëherësh dhe drejtues i tij. Të pranishëm ishin katër instrumentistë si Agim Prodanin në firzamonikë, Medi Prodani në kitarë akustike, Mustafa Zyberi në klarinetë dhe në saks, Njaz Guralumi në kontrabas. Provat i bënim në bodrumin e Radio Tiranës dhe kishte disqe të cilat ishin prej kohësh. Fatkeqësisht disqet u thyen nga koha. Incizimet e para kishin zhurmë punonim me bobina të mëdha 8 dhe 16 milimetra. Kemi regjistruar shumë këngë duke filluar nga viti 1957-të deri në 1959. Këngët transmetoheshin në Radio Tirana në një orar të caktuar. Unë jam këngëtar i zhanrit të lehtë duke iu dedikuar asaj. Regjistronim me shirita dhe më pas këto shkonin në vende të tjera si p.sh në Çeki, Rusi,Sofje, Lituani, Varshavë. Ajo kohë ishte e suksesshme pasi dhe miku im Pirro Mani regjisori i mirënjohur kur ishte student në Moskë. Ai më thoshte se këto këngë kishin marrë një famë, duke i konsideruar si tango shqiptare. Madje kam marrë letra dhe kartolina nga një artiste e madhe si Tatjana Samolova. Jam ndjerë i emocionuar unë atëherë në krahasim me të isha një i ri nga Shqipëria. Këngët patën sukses në atë kohë por ne dilnim pa figurë, vetëm me zë. Festivali i Parë i përket vitit 62 pra 11 vjet pas Sanremos që nuk e shihnim. Nëse dikush e shihte vetëm dëgjonte fjalët nuk dilte figura. Madje dhe magnetofon nuk kishim ishte vështirë. Ndër këngëtarët e këtij festivali kujtoj Vaçe Zelën një panterë e vërtetë e muzikës shqiptare duke e krahasuar me Milvën e Italisë. Këngëtarë të tjerë gjithashtu ishin Pavlina Nika, Anita Take, Besnik Taraneshi, Qemal Kërtusha, Pranvera Bengu. Më pas ishin dhe dekadat e majit ku mblidheshin rajonet e Tiranës. Madje kishte dhe dopio sekstete, në atë kohë unë nisa në rajonin numër dy, ku u njoha dhe me bashkëshorten time të ardhshme. Në familjen time unë kam gruan, vajzën dhe djalin. Një tjetër gëzim është dhe mbesa ime Bora e cila më bën të lumtur.

Ju konsideroheni këngëtar i dashurisë si e përjetoni këtë përcaktim?

Në atë kohë këngët i këndoheshin dashurisë, pasi ajo ka aspektin e veçantë. I këndonim dashurisë, hënës, diellit dhe i këndoja me dëshirë të madhe. Madje nuk mund të këndoje më shumë se një voxtrot, tango, foxtrot. Nuk mund të mendoje një rokenroll po të këndoje me gjestikulacione nuk lejohej. Madje dhe këngëtarja Vaçe Zela lëvizte shumë gjatë këngës dhe i bën vërejtje, kaq e ke hapësirën. Më pas ishin të pranishëm dhe këngëtarët lirikë si Avni Mula, Gaqo Çako, Mentor Xhemali, Xhoni Athanas. Këta këngëtarë morën pjesë në muzikë të lehtë sepse aktiviteti i tyre ishte i kufizuar. Madje dhe ata donin të ishin më shumë të pranishëm në festival. Duetet e famshme ishin me Ibrahim Tukiçit dhe Avni Mulën. Triot e tyre u kënduan dhe në estradë. Dua të kujtoj dhe këngën “Kur gjethet bien në vjeshtë’’ këngë dashurie me refren pesimist.

Ti me ke braktis, qofshin harram ndjenjat e mija

Se larg dashnis, të lindin n’zemër pabesia

Ke me u pendue, por ateher ka me qenë vonë

dhe tuj lotue do të vij nermen dashnia jon

Këtë këngë e kam kënduar me Anita Taken në kohën kur ajo u vesh nuse në një ambient të vogël. Përmend dhe një tjetër këngë me titull “Një flutur” nga Baki Kongoli. Teksti i kësaj kënge është bërë nga Xhanfize Proja një poete dhe shkrimtare njëkohësisht. Tekstin e kësaj kënge e vuri në librin e saj me titull “Dallgët e jetës” e marrë nga kompozitori Kongoli. Gjithashtu dhe këtë këngë e kam kënduar në duet me Anita Taken në Radio Tirana. Fatmirësisht më pas u bënë dhe shumë disqe jashtë shetit mund të them me dhjetra e qindra.

Këngët që ju keni kënduar janë të veçanta. Megjithatë jeni ndikuar dhe nga këngët e huaja. Cilat janë disa prej tyre që kanë lënë gjurmë në memorien tuaj?

Kujtim të madh kam nga një këngë e kënduar nga Claudio Villa me titull “Buongiorno Tristezza”, (Mirëmëngjesi Trishtim). Ai e këndonte në një mënyrë të shkëlqyer. Më pas mua më ka rënë në dorë një nga disqet e tij asokohe. Meqenëse unë e pëlqeja këtë këngëtar e kam dëgjuar për disa herë rresht në gramafonët e kohës. Madje dhe vdekja e tij nga një atak kardiak më ka shkaktuar shqetësim. Unë kam dashur që t’i merrja dhe një autograf. Një këngë tjetër është dhe “Il Pullover” një këngë që kujton historinë e një çifti, ku vajza i dhuron një pulovër djalit. Në kujtim të saj ai e mban të veshur për disa kohë dhe mua më ka ndodhur një gjë e tillë.

Ju jeni ndikuar nga muzika e huaj dhe perëndimore kryesisht ajo italiane. Cilët janë këngëtarët që ju pëlqeni më shumë?

Më i preferuar për mua është dhe këngëtari Little Tony i cili është ndarë nga jeta para pak ditësh. Fatkeqësisht, ai vuante nga tumori në mushkëri. Një zë tepër brilant me gjestikulacion të justifikuar unë mahnitesha pas tij dhe e përjetova shumë ikjen e tij.

Rinia në kohën tuaj dhe ajo e ditëve të sotme ka ndryshimet e saj. Si e kujtoni ju rininë tuaj në krahasim me të sotmen?

Rinia sot është e lirshme si në veshje ashtu dhe në sjelljen e saj në shoqëri. Madje dhe lëvizjet jashtë shteti. Unë kam lëvizur me aeroplan pasi dola në pension. Ndërsa në autoveturë mund të kem qenë rreth 30 herë. Rinia ka dhe mundësinë e zgjedhjes së këngëve që këndojnë në lokale të ndryshme. Një gjë më bën përshtypje që kompozitorët e rinj nuk marrim shumë nga folklori shqiptar. Të rinjtë këndojë këngë në gjuhën angleze, gjithsesi dhe ato kanë vlerën e tyre po pa harruar atë shqipe. Ne në kohën tonë ishim të prirur ndaj këngëve italiane dhe greke pasi kishin shumë influencë. Rinia e kohës që unë kam jetuar ishte më e ndrydhur si pasojë e izolimit të atëhershëm. Pavarësisht kësaj ishim shumë kërkues, por mbeteshim brenda një rrethi të caktuar që nuk mund ta shkelnim.

Veze Sharri dhe Lecker

Më të lexuara