Martesat e studentëve me ruset dhe raportet që vinin nga Moska

/ On : 12:05/ Ju falënderojmë për vizitën në këtë faqe.Për bashkëpunim na shkruani në lajmetari.tetove@gmail.com.
Nga Albert Kotini


 Përgatitja e kadetëve në shkollën ushtarake “Skënderbej”

Nr.150 Res.          Moskë më 14/5/55
Ministrisë së Mbrojtjes Popullore
(Drejtorisë së Kuadrit)
TIRANË

Kap.I Behxhet Guxholli, ndëgjues i akademisë inxhinierisë dhe që mbaroi studimet dhe kthehet në Shqipëri ka pas marrëdhënie me nji vajzë sovjetike dhe bile pa aprovim të Presidiumit të Kuvendit Popullor, bëri martesën dhe ishte në pritje të aprovimit, pasi sipas pretendimeve të naltë përmendurit, formalitetet i kishte kryer me kohë. Tani kohët e fundit i vjen përgjegja negative-për arsye se familja e tij si sot dhe gjatë Luftës N.Çlirimtare paska qëndrim të keq. Ky motivacion si i çuditshëm dhe si ka qenë e mundur dhe është dërguar ky njeri në akademi. Me gjithë atë, qëllimi i këtij njoftimi nga ana e jonë është pse kap.Guxholli sipas të dhënave ka pas marrëdhënie me nji vajzë jo serioze dhe që në këtë drejtim, mund të thuhet me bindje nga faktet se ajo ka pas të këtilla marrëdhënie edhe me 3-4 oficerë të tjerë nga tonët që kanë studiuar në Moskë. Me gjithë se kjo çështje sipas përgjigjes së Ministrisë Jashtme për Kuvendin Popullor konsiderohet e përfunduar dhe në mënyrë negative, neve mendojmë se edhe këto të dhëna janë të nevojshme për Drejtorinë e Kuadrit nëse i naltë përmenduri kërkon të vazhdojë për t’iu aprovuar. Këto të dhëna këtij atasheu i janë njoftuar nga vetë shok të akademisë, ku studionte edhe vetë Guxholli. Me një fjalë vajza, me të cilën Guxholli ka pas marrëdhënie dhe me atë bëri edhe martesën në mënyrat që veprojë edhe më parë Veis Levandi – pa pyetur përfaqësuesin tonë. Ne mendojmë se ajo vajzë nga ana morale nuk ka qenë serioze dhe për këtë jemi të mendimit që edhe sikur të bëjë përpjekje të mos i aprovohet.
Atasheu Ushtarak
Kolonel
Hajdar Aranitasi D.v
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE
“DREJTORIA E KUADRIT”
Nr. 2142 prot.                          Tiranë, më 21.7.1955
ATASHEUT USHTARAK SHQIPTAR
MOSKË
Presidiumi Kuvendit Popullor para se të japi autorizimin për martesën e Toger PREL GJELOSH GJOKËS me nënshtetases Sovjetike NINA POLIVODA, banues në qytetin e Kievit Rruga Stenka Hazin nr.4 kërkon infiormata mbi qëndrimin moral-politik të vajzës, mbasi Ministria e P. Jashtme ka njoftuar Presidiumin se informata për familjet e ushtarakëve mund të kërkohen vetëm nga ana e Ministrisë Mbr. Popullore prandaj interesoheni për sa sipër dhe të na dërgohen të dhëna për të përmendurën, duke shfaqur mendimin edhe ai Atashe.-
ZV.SHEFI DREJTORIS KUADRIT:
Major
(Anest Andoni) D.v
U shtyp në dy ekzemplarë nr….
Përpunoj Kap.I. P.Kantozi,
Daktilografoj Kap.I.P.Kantozi
Direkt në maqinë.-
ATASHEU USHTARAK                                SEKRET
MOSKË                                                       Ekzemplar nr…
NR.173 Prot.                                                         Moskë, më 11.8.1955
MINISTRISË MBROJTJES POPULLORE
(Drejtorisë Kuadrit)
TIRANË
Gjegje urdhrit nr.2142 datë 2.7.1955
Sa kërkoni me të sipërmen ju njoftohet se si mbas konsultimit që para me ambasadorin shokun Mihal Prifti për këtë çështje, ai më vuri në dijeni se informata për qytetare sovjetike nuk mund të kërkojmë nga vetë organet sovjetike mbasi nuk lejohemi nga Ministria e P. të Jashtme e cila ka lëshuar rregullore të posaçme në këtë drejtim nga ana tjetër i vetmi kanal që neve mund të merrnim të dhëna është organizata bazë e Partisë në ato qytete ku neve kemi studentë ushtarakë ose civilë, mirëpo në qytetin e Kievit ku banon qytetarja Sovjetike Nina Polivoda nuk kemi organizatë partie pse atje s’kemi studentë shqiptarë as civilë dhe as ushtarakë. Prandaj me qenë se këtë çështje nuk mund ta zgjidhim për arsye që thamë më lart, shoku Mihal më udhëzoj që t’u njoftoj.
ATASHEU USHTARAK
Kolonel
P. (Hajdar Aranitasi) D.v
Martesat me vajzat ruse – Një peripeci e vërtetë
Moskë 2.3.1958
Po ju raportoj mbi disa akte të ulëta morale të kryera kohët e fundit nga oficerë dhe kursantë tanët që studiojnë në Bashkimin Sovjetik.
Maliq Mina Lufa kursant i vjetit të dytë në shkollën ushtarake për inxhinieri-ndërlidhje marine në Petrodvorec-Leningrad) ka bërë celebrimin për martesë me një vajzë sovjetike. Ky kursant është i martuar ligjërisht në Shqipëri ka edhe një vajzë. Është thirrur vjetin e kaluar kur ishte me leje nga Ministri i M.P. dhe atij i ka premtuar se do të heqë dorë nga qëllimi për të ndarë gruan. Me ndërhyrjen time komanda sovjetike do të marrë masa nga ana e saj që të anulohet martesa e dytë. Martesën e dytë ky kursant e kish bërë jo me pasaportë por me letër njoftimi të shkollës mbasi në pasaportë kishte të shënuar që ishte i martuar edhe në Shqipëri.
Rexhep Ahmet Zenelaj kursant për teknik aviacioni në shkollën ushtarake të Volskut. I ka dërguar një letër të shoqes me anë të të vëllait të saj në Tepelenë ku i njofton ndarjen duke e argumentuar këtë se gruaja e tij nuk di shkrim e këndim. Ndërhyra për këtë çështje me anë të komandës së shkollës. Në një letër që më bën mua ky kursant (letrën ja kam dërguar Gjeneral Sadiku më shprehet se “nuk kini të drejtë të ndërhyni në çështjet e mija personale dhe me që juve mua më kërcënoni për përjashtimin tim nga shkolla unë po heq dorë nga ndarja e gruas deri sa të mbaroj shkollën”.
Nazif Çerçiz Malaj kursant për teknik ndërlidhjeje në shkollën ushtarake të Gorkit. I ka dërguar letër gruas dhe i njofton në të ndarjen me pretekst se ajo gjoja është e sëmurë. Për këtë çështje i jam drejtuar me një letër komandës së tij të shkollës për ta këshilluar. Thirrja e tij në Moskë për ta këshilluar nga unë ka vështirësi kryesisht financiare.
Kapiten Abedin Muharrem Kalanxhiu, i martuar me dy fëmijë në Shqipëri ka mbajtur marrëdhënie për një kohë të gjatë me një vajzë këtu në Moskë. Kur ishte në Shqipëri me leje vjetin e kaluar është kthyer 20 dit para kohe këtu në Moskë vetëm për të shëtitur me vajzën me të cilën edhe kur ka qenë në Shqipëri ka pasur korrespondencë. Për këtë arsye ka edhe grindje në familje. Në Akademinë e Xhenios mbasi kishte marrë shumë para borxhe në shokët e tij shqiptarë dhe të huaj ky shok në kohën e përgatitjes për t’u kthyer në Shqipëri mblidhte në Akademi rroba të vjetra dhe shishe bosh për t’i shitur që të lante borxhet. Organizata e partisë e Akademisë Xhenios për qëndrimin e tij e ka dënuar me vërejtje të rëndë me shënim në kartën e regjistrimit. Ky oficer është kthyer në Shqipëri mbasi mbaroi Akademinë. Shokët e tij më raportuan se është lidhur shumë ngushtë këtu në Moskë me një vajzë dhe dyshohet se mos len gruan aty në Shqipëri…
Në rast se juve shoku Ministër do të vendosni të nxirrni në një urdhër për këtë çështje ju propozoj që njërin nga të tre kursantët që përmendëm më sipër ta kthejmë në Shqipëri dhe ta përmendim në urdhrin tuaj. Kjo masë përveç masave të tjera do të ketë efekt.
Atasheu ushtarak dhe përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm          të Ushtrisë Popullore RPSH pranë Komandës së Bashkuar.
Kolonel Halim Ramohitaj D.v
Nuk mund të vinim emrat e informatorëve, sepse janë gjallë, por edhe për arsye për të mos ngjallur shqetësime të mëtejshme me të cilën është mbarsur jo pak shoqëria shqiptare nga e kaluara.
Të hapen apo jo dosjet, kjo është çështja!
Po kush do ti hap? Kjo është pyetje!
Për ata që do të figurojnë survejusa çfarë do të bëhet? Më mirë të jemi të vëmendshëm se çfarë bilanci e pasoja ka:
Megjithëse spastrimin prej farës së keqe e kërkon tërë shoqëria!
Sigurimi: Autoriteti i vdekjes dhe i jetës
Në një emision që jep televizioni “Top Chanel” me titull:”Luftërat dhe qytetërimi” trajtohen ngjarjet historike që fillojnë apo tregojnë fundin e një epoke të vjetër dhe lindjen e një epoke të re. Kështu pas luftërave të Napoleon Bonapartit u gëzua për katër dekada paqja në popujt e Europës. U zhvillua lufta e Krimesë, të cilën e ka përshkruar deri në pavdekësi Tolstoi në librin “Lufta dhe Paqja”, ndërsa anglezët pjesëmarrës në këtë luftë edhe pse kanë shkruar shumë kanë mbetur në histori korrespondenti i parë i Luftës, Rasëll, i cili në gazetën “Times” të Londrës përshkroi të vërtetën në fushën e betejës. Popujt në luftë kurrë merrnin vesh të vërtetën nga fronti i tmerronte vdekja e lules së rinisë. Në korrik 1861 u zhvillua lufta civile në Amerikë. Dihet që mjaft libra dhe filma e kanë pasqyruar atë, mirëpo mbeti i famshmi fotoreporteri i parë Bredi, i cili me fotot e tij në fushën e betejës për ushtarët e vrarë amerikanë si nga Veriu dhe nga Jugu pa kokë pa krahë e nofull tregoi tmerrin pa fund të luftës… Edhe pse zonjat e Amerikës së Veriut kishin shkuar si turistë për ta parë dhe ndjekur luftën në këtë fushë beteje ato u larguan të tmerruar kur “pikniku” i vdekjes i ndoqi edhe ato vetë deri në panik.
Perandoria Gjermane në Versajë në vitin 1871 arriti kulmin e kënaqësisë së fitores. Brenda 50 vjetëve Bismarku e shndërroi Prusinë në fuqinë më të madhe në Europë. Me një miliardë dollarë që i mori Francës si dëmshpërblim ndërtoi një Berlin modern të kohës pastaj mori edhe Alcas-Lorenën. Autoriteti i fuqisë u vendos në emër të të vrarëve në luftë. Legjenda të vdekjes dhe jetës u thurën në dëshirën për fitore te letërsia dhe arti, tek historia. Mirëpo fitoret kuptoheshin në sajë të luftës, vdekjes dhe jo në sajë të qytetërimit d.m.th. të jetës.
Në gjyqin e Nurembergut në 13.12.1945, prokurori amerikan Dod lexoi një dekret të dalë më 21 shtator 1942 të nënshkruar nga Rosenberg, ku thuhet: “Shtëpitë e kundërshtarëve do të digjen. Do të arrestojmë të gjithë kushërinjtë e tyre dhe do t’i mbajmë si pengje dhe do t’i internojmë në fushën e skllavërisë penale”. Dokumenti tregon pastaj se në çfarë kushtesh do të bëhen pushkatimet e çifutëve, të fëmijëve dhe të robërve të ikur. Ai tregoi p.sh., se robërit e luftës franceze, në shërbim pranë fabrikave të Krups, ishin të detyruar të jetonin nëpër strofulla qensh, ku detyroheshin të hynin duke u gjunjëzuar etj.
*
Vijmë në Shqipërinë e vitit 2004. Luftërat dhe qytetërimet sollën mbartjen e ideologjisë më të fundit, atë që quhet simbioza e dy diktaturave, fashizmit dhe komunizmit. Përsëri ndeshje midis antifashistëve dhe profashistëve, porse jo në emër të çështjes kombëtare zhvillohet kjo luftë edhe në psikologjinë e sotme të historiografisë shqiptare.
Komunizmi në Shqipëri filloi të fshihej në emër të kombit, të popullit dhe dalëngadalë e zëvendësoi çdo fillesë të tillë me qëllimin e hapur internacionalist të një diktature të gjatë denigruese ndaj lirisë individuale. Në emër të fitores së komunizmit në të gjithë botën si sistem përfundon dhe mbahet me dhunë, duke gjeneruar luftën e klasave në çdo fazë të dështimit të saj.
Komunizmi me propagandën e barazitizmit, të një mirëqenieje për të gjithë, duke qenë një utopi që nuk arrihet, thjesht nga fakti se vlerat individuale të njeriut nuk mund të kthehen dot në një emërues të përbashkët, si i tillë është mashtrues ose fiktiv për realitetin.
Komunizmi lindi me premtime të mëdha ndaj të varfërve për t’i bërë të pasur, duke shtypur pakicën nga shumica, duke shoqërizuar mjetet e prodhimit dhe eliminuar pronën private.
Intelektualët e kombit tonë e nisën luftën ndaj fashizmit, në emër të nacionalizmit, por krimi i komunizmit kishte hyrë brenda tyre. U mashtruan nga fasada komuniste, edhe pse nacionalistë me bazë sociale të pasur, me shkolla perëndimore, u bënë bartësit e ideve komuniste, duke ëndërruar si udhëheqës popullorë. Nuk e njihnin përvojën franceze që: “Revolucioni ha bijtë e vet”.
Pikërisht gijotina enveriane këta intelektualë nacionalistë, por utopistë për çfarë luftuan të parat i preu kokat e tyre.
*
Fashizmi në Shqipëri filloi në emër të Shqipërisë etnike dhe, i fshehur pas tyre, dalëngadalë kërkoi ta aneksonte në trevën e vet perandorake. Pra, duke të dhuruar pjesën në emër të “hapësirës jetike” për nacionalizmin e tyre, të merrte të tërën.
Fashizmi predikonte dëshirën e interesave mikroborgjeze për t’u bërë të pasur duke pranuar pronën dhe liritë e individit.
Në Shqipëri fashizmi ndihmoi me egërsinë e pushtimit, komunizmin për të bashkuar popullin në lirinë e dëshiruar.,
Fashizmi në Europën Perëndimore u konceptua i plotë si diktaturë, që do të zëvendësonte pas lufte fitoret e demokracisë, por jo një diktaturë tjetër siç ishte komunizmi.
Fashizmi në Europën Lindore u konceptua pas luftës dhe fitores kundër saj për vendosjen e komunizmit, si vetë utopia e tetorit 1917.
Pra, janë diktatura të egra që të dyja dhe kanë dallim si kohëzgjatje dhe në ideologji e praktikë. Fashizmi u ngrit në emër të nacionalizmit që të pushonte botën. Komunizmi u ngrit në emër të internacionalizmit që të pushtonte botën. Botën e pushton vetëm demokracia, sepse është vetë përmbajtja e progresit. Diktaturat kanë një emër: dhunën, si rruga më e shkurtër e ekzistencës. Humanizmi është më armik i komunizmit se sa i fashizmit.
Në Kosovë sipas ATSH 28 qershor 1990
13 delegatë të Kuvendit të Jugosllavisë nga Kosova:Riza Aliaj, Iliaz Kurteshi, Neshta Zhubi, Rexhep Hamiti, Nazmi Rahmani, Isuf Kelmendi etj i dërguan një letër të hapur kryesisë së Jugosllavisë dhe Kuvendit të Jugosllavisë, në të cilën ndër të tjera thuhet:Kosova posaçërisht është e rrezikuar me marrjen e të drejtave autonome të përcaktuara në Kushtetutën e Jugosllavisë, Kushtetua e re e Serbisë, që u miratua në mbledhjen e 15 qershorit të këtij viti në Kuvendin Republikan. Ne delegatët e Dhomës federative të Kuvendit të Jugosllavisë nga Kosova i drejtohemi këtij kuvendi që ta ndërpresë këtë rrugë, e sidomos aktin e reduktimit të autonomisë së krahinave deri në atë masë që objektivisht nënkupton suprimimin e tyre, që tu pritet rruga veprimeve ndërkushtetuese. Diskutuesit theksuan se luhatjet e tashme të autonomisë së Kosovës janë pasojë e Kuvendit të Prizrenit më 1945 ku për Kosovën u vendos pa vullnetin e popullit për bashkimin e saj me Serbinë.
Duke e marrë fjalën në këtë tubim ish-udhëheqësi kosovar Xhavit Nimani, theksoi se proceset e reja po lirohen nga narkozat ideologjike dhe klauzolat zyrtare prandaj dëshmimi ynë është edhe një borxh moral ndaj popullit dhe vullnetit të tij. Duke u përgjigjur në shumë pyetje që ia bënë të pranishmit rreth procesit të Tivarit, ai theksoi se pas kthimit nga Shqipëria në vitin 1944 kishte marrë vesh se në Kosovë janë bërë pushkatime të të mobilizuarve dhe në Prizren gjendja ishte alarmante. Ndërkaq tha ai, Sava Derlevic ish-komandantja e administratës ushtarake të Kosovës, i është kërcënuar se për pyetje dhe vërejtje të tilla mund të shkojë në gjyq ushtarak dhe mund të pushkatohet. Xhavit Nimani tha se kësaj mbledhjeje i kanë paraprirë edhe disa takime në Beograd me Miladin Popoviçin, Drazhe Markoviçin dhe funksionarë të tjerë. Edhe në Mbledhjen e Gemisë, tha ai, së bashku me disa shokë kemi kërkuar që kërkesa për republikë të mos jetë temë tabu.
Ndërkaq dr. Akif Bajrami nga kumtesa e tij lidhur me Bujanin dhe reflektimet e tij në ngjarjet e mëvonshme, theksoi se mbledhja e Prizrenit është një farsë dhe se Dushan Mugosha dhe Mehmet Hoxha në planet dhe diskutimet e tyre e varrosën autonominë e Kosovës.
Për dokumentin e 23 janarit 1973 pak interpretim:
- Zbulon që në nëntor 1943 pozicionin e Jugosllavisë për të përfshirë Kosovë-Metohinë në bashkësinë e saj.
- Tregon faktin e qenies në dijeni nga PK Shqiptare që në vitin 1943 dhe mosdenoncimin e kësaj “tradhtie” që në ato vite për mbulimin e turpshëm.
- Jugosllavët e quajtën qëndrim të drejtë ndaj kufijve të ardhshëm për Shqipërinë, pa Kosovë e Metohi.
Atëherë si e paska mbrojtur këtë krahinë shqiptare Partia Komuniste e saj? Duke heshtur?!
Si përfundim, Sigurimi dhe UDB-ja për këtë çështje kanë një ngarkesë të madhe për “vdekjen e atëhershme të çështjes sonë kombëtare”.
Për sa më sipër, lind çështja përse nuk gjykohet me një koncept të ri edhe 60-vjetori i çlirimit të Shqipërisë si në këndvështrimin kombëtar, por vazhdohet thjesht si atribut i komunizmit?
Se sa janë vrarë nga sigurimi shqiptar apo UDB-ja e Serbisë është çështje që njihet vetëm e vetëm që në emër të kombit shqiptar të mos flitej e veprohej asnjëherë. Argumentojmë idenë për vlerat kombëtare me disa raste më tipike në Shqipëri, sepse për në Kosovë dhe gjithë trevën shqiptare janë aq të shumta saqë kërkojnë trajtim më vete
1. Të sfidosh diktaturën komuniste do të thoshte të mos njihje autoritetin e vdekjes që e udhëhiqte atë.
Përmenda në shkrimin e mëparshëm Shaban Zerecin. Pak a shumë po i referohem dosjes së tij personale.
Për ata që guxuan të ndeshen me diktaturën është vështirë të shkruash, sepse më tepër se fjalët janë qëndrimet, sfidat e tyre ndaj regjimit totalitar. Ata janë njerëz të thjeshtë në komunikim, pa pretendime për ato që kanë bërë dhe kur i pyet se mjaft të tjerëve u ishte marrë jeta apo gjithçka në disa breza, si guxuan atëherë?! Të përgjigjen me një buzëqeshje të lehtë por të vendosur dhe krenarë: Nuk kemi bërë gjë, vetëm diçka që e ndieja për të qenë i lirë, kur të tjerët që e kanë pësuar më shumë janë zhdukur edhe pa lënë gjurmë.
Quhet Shaban Zereci. Në katundin Zerec i zonës Gorë-Opar të Korcës.
Me djemtë Ganiun dhe Çlirimin, vajzën të quajtur Liri në moshë të mitur. Mbas viteve të luftës ëndërronin të ardhmen”e lumtur” që u ishte premtuar… Cili ishte Shaban Zereci?
Në fillim komandant çete, pastaj komandant i Batalionit “Çlirimi” në maj 1943. E kështu me radhë u bë komandant me zë i batalionit të Gorë -Oparit , “Skënder Çaçi”, batalionit të 4- të BR 11S dhe në janar 1945 transferohet në MPB. Pa mbushur një vit në detyrë transferohet në dhjetor 1945 në dispozicion të drejtorisë së personelit të kësaj ministrie. I plagosur që në vitin 1924 në luftën e Manastirit dhe i lavdëruar nga shtabi i qarkut të Korçës për trimëri të veçantë ndaj nazizmit gjerman.
Shaban Zereci është vrarë 26 mars 1957. Në momentin e ngjarjes banonte në fshatin e tij pasi ishte i liruar me kusht nga gjykata duke përfituar nga amnistia që i kish dhënë presidiumi i kuvendit popullor. Ngjarja e vrasjes ka ndodhur natën e 26 marsit 1957 rreth orës 23.00. Ku kryqëzohet rruga e Dibrës me rrugën Bardhyl. Shabani kishte ardhur në Tiranë pasi thuhej se do të përfitonte nga dekreti i Kuvendit Popullor pafajësinë si i dënuar padrejtësisht nga Koci Xoxe. Vrasësi (nipi i Shabanit) N.M. punonte në Sigurim të Shtetit. Para se të kryente veprimin, NM ishte me leje të zakonshme mirëpo u thirr me urgjence me telegram nga F. Shehu se e kërkonte ministri Kadri Hazbiu për një problem./

Veze Sharri dhe Lecker

Më të lexuara