Shërbimi sekret në gatishmëri dhe me frikë nga lëvizjet

/ On : 11:34/ Ju falënderojmë për vizitën në këtë faqe.Për bashkëpunim na shkruani në lajmetari.tetove@gmail.com.
Shërbimi sekret në gatishmëri dhe me frikë nga lëvizjet:

Drejtori i ri
Oficerët nga 14 orë në punë dhe në pritje të ndryshimeve
Që nga momenti i emërimit të kreut të ri të Shërbimit Sekret Shqiptar, të gjitha strukturat e kësaj organizate për sigurinë kombëtare kanë kaluar në gatishmëri. Agjentët, inspektorët, shefat e sektorëve, por edhe drejtorët e Shërbimit Informativ Shtetëror po punojnë mbi 14 orë në ditë, ndërkohë që nga ana tjetër pritet të kryhen lëvizje të ndryshme, ku nuk përjashtohet edhe nxjerrja në reformë e shumë efektivëve, duke sjellë konstatimin se edhe këto struktura nuk janë aq “të paprekshme” për lëvizjet e ndryshme sipas pëlqimeve të drejtuesve, pavarësisht nevojës së veçantë të punës.
Gatishmëria pa urdhër
Sa i përket aktivitetit me orë të gjata pune, burimet nga Shërbimi Informativ Shtetëror bëjnë të ditur se ka nisur që në momentin e emërimit të drejtorit të ri. Aktualisht, ata shpjegojnë se punojnë nga mëngjesi deri në orët e vona të darkës, pavarësisht se kanë një orar zyrtar pune, ndërkohë që nuk ka asnjë urdhër për ndonjë gjendje gatishmërie. E gjitha kjo vjen si pasojë e mbledhjeve të ndryshme që zhvillohen pas ardhjes së kreut të ri të shërbimit inteligjent. Megjithatë, sipas specialistëve, kjo procedurë nuk është e zakonshme për ditët e tjera të punës, sa u përket oficerëve zyrtarë, pasi agjentët dhe informatorët kanë procedurë tjetër pune dhe paguhen me orë suplementare dhe me dieta, pavarësisht se edhe këto nuk po akordohen prej disa kohësh. Por, burime të besueshme pranë këtij institucioni të sigurisë kombëtare tregojnë që kjo gatishmëri ka detyruar edhe disa punonjës, të cilët kanë qenë me leje të kthehen në detyrë.
Gati lëvizjet për oficerët
Fillimisht, në gatishmëri janë vënë drejtoritë në qendër, megjithëse nuk përjashtohen edhe strukturat e tjera në rrethe të Shërbimit Informativ Shtetëror. Aktualisht, ashtu siç janë mësuar edhe më parë, oficerët e SHISH, po përjetojnë edhe ankthin e ndryshimeve. Sipas tyre, nga informacionet që kanë, ndryshimi i kreut të këtij shërbimi do të sjellë ndryshime deri në bazë. Në të shumtën e rasteve, këto lëvizje bëhen brenda strukturave të SHISH, por nuk përjashtohen edhe rastet, kur efektivë të saj dalin në reformë. Në lidhje me to, burimet thonë që fillimisht pritet të ndryshohen disa drejtorë, që kanë marrë këto poste në kohën e Bahri Shaqirit, e më pas do ndryshohen edhe shefa sektori, sidomos ato të ruajtjes së informacionit. Veç tyre, ende nuk dihet se çfarë do të bëhet me stafin e ngushtë të drejtorit të ri, pavarësisht se ata mbajnë këto funksione prej një kohe të gjatë.
Lëvizjet dhe politizimi
Megjithatë, shqetësues mbetet fakti se edhe organizmi më i lartë për sigurinë kombëtare nuk u ka shpëtuar metodave për ndryshime në administratë, pavarësisht se kjo mund të sjellë pasoja të rënda për shkak të informacionit që disponohet në këto struktura. Çdo ditë kemi dëgjuar për ndryshime, në administratën publike, duke sjellë probleme sidomos në nivelin e specialistëve për shkak të eksperiencave personale që kanë për të qenë sa më efikase, ndërkohë që tashmë mësohet se këto lëvizje mund të prekin edhe strukturat më delikate në vend për shkak të llojit të punës që kanë. Madje, kjo sjell edhe pasoja financiare, sidomos në rastin e nxjerrjes në reformë të efektivit të SHISH. Por, këto lëvizje mund të shoqërohen edhe me emërime të personave të politizuar, pavarësisht se në ligjin e SHISH deklarohet se për t’u pranuar në këto struktura duhet të jesh i depolitizuar. Red. Akt.

Lëvizjet
Sipas informacioneve pranë shërbimit inteligjent, në këtë institucion pritet të ketë lëvizje në nivel drejtorësh dhe shefa sektorësh


Drejtuesit e SHISH
Drejtori - Visho Ajazi Lika rikthehet në shërbimin inteligjent pas 15 vitesh, ku për tre vjet ka punuar si drejtor i Shërbimit të Jashtëm
Zv.drejtori - Nga viti 2003, me një dekret të Presidentit të Republikës, Ylli Alushi, është zëvendësdrejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror
Inspektori - Prej shtatë vitesh, funksionin e inspektorit të përgjithshëm të SHISH e mban Saimir Kodra, i cili ka punuar më parë te SHIU


Mbledhja
Vartësit njohin kreun e ri me problematikat
I sapoardhur në detyrën e re, stafi i ngushtë i drejtorit të SHISH ka raportuar për problematikat e punës së kësaj strukture dhe nevojat për ndërhyrje urgjente. Veç problematikave të ndryshme të punës, stafi e ka njohur drejtorin Visho Ajazi Lika edhe me problemet e mbartura prej vitesh, që ndikojnë drejtpërdrejt në punën e shërbimit sekret. Burimet tregojnë se ata kanë ngritur problemin e orëve të papaguara të punës, të dietave, por edhe të gjendjes jo të mirë të automjeteve. Aktualisht, SHISH ka në terren mbi 800 agjentë të vet, por për shkak të mungesës së fondeve, puna e tyre është e reduktuar, ndërkohë që fondet kanë munguar edhe për blerjen e informacionit. Nga ana e vet, Visho Ajazi Lika ka paraqitur detyrat e tij, veçanërisht të rëndësishme në funksion të sigurisë kombëtare dhe detyrave të tjera kushtetuese dhe ligjore. Drejtori i ri ka shpjeguar se do të jetë i fokusuar në përmirësimin e vazhdueshëm të sistemit, në përmirësimin e punës në grup, promovimin e karrierës në institucion dhe në pengimin e çdo tentative për të dalë jashtë linjave ligjore, të cilat SHISH, me fanatizëm duhet t’i ruajë.

Agjentët - SHISH ka në terren mbi 800 agjentë të vet, por për shkak të mungesës së fondeve, puna e tyre është e reduktuar

“Wikileaks”
“Personat e emëruar kanë lidhje të drejtpërdrejta me Kryeministrin”
Kabllogramet: Dy emërime politike në SHISH
Politizimi i SHISH dhe inkriminimi i këtyre strukturave është ngritur si shqetësim më parë edhe nga ndërkombëtarët. Madje, më së miri ajo u vu re në kabllogramet sekrete të publikuara nga “Wikileaks”, ku deklarohej se disa hetime të shërbimit të inteligjencës shqiptare janë pezulluar në rrethana të dyshimta. Një prej këtyre kabllogrameve fliste qartë edhe për emërimet politike në Shërbimin Informativ Shtetëror. “Dy militantë të njohur të Partisë Demokratike në pushtet me lidhje të drejtpërdrejta me Kryeministrin u emëruan në zyrën e inspektorit të Përgjithshëm. Shefi i personelit ka orkestruar disa emërime dhe punësime që nuk përmbushin objektivat e SHISH për zhvillimin profesional, megjithëse drejtori Shaqiri teorikisht ka vendimin final mbi të gjitha punësimet. Shkurtimet buxhetore, të cilat kohët e fundit kanë marrë përmasa drastike, e kanë penguar SHISH në kryerjen e punëve të veta dhe janë perceptuar nga disa njerëz brenda agjencisë si një përpjekje për të ndikuar mbi sjelljen e saj. Pavarësisht këtyre sfidave, ka shumë pak prova se shumica e personelit të SHISH është dorëzuar përballë ndikimeve specifike politike. Të dy të emëruarit politikë në SHISH (Shefi i Personelit dhe Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm) nuk kanë akses në informacionin operacional”, vijon më tej kabllogrami. Ambasada raportonte në atë kohë se përpjekja e parë e Berishës për të vënë nën kontroll SHISH-in përmes zëvendësimit të Bahri Shaqirit, solli një betejë të gjatë mes Kryeministrit dhe Presidentit dhe se qe pikërisht ndërhyrja e qeverisë së SHBA-ve ajo që siguroi mosshkarkimin e Shaqirit dhe që shpëtoi shërbimin sekret nga kontrolli politik. Kabllogrami është një raport i përgjithshëm i shërbimeve sekrete në Shqipëri, mënyrës së organizimit dhe funksionimit, si dhe problemeve që ato kanë. Ai i përket dhjetorit 2007, ka kodin 07TIRANA1090 dhe është shkruar në një kohë kur marrëdhëniet mes ambasadës së SHBA në Tiranë dhe qeverisë së Kryeministrit Berisha qenë ende të shkëlqyera.

Shërbimi sekret në gatishmëri dhe me frikë nga lëvizjet burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Veze Sharri dhe Lecker

Më të lexuara