Varri sekret në zemër të Kinës

/ On : 04:22/ Ju falënderojmë për vizitën në këtë faqe.Për bashkëpunim na shkruani në lajmetari.tetove@gmail.com.
NGA STANLEY STEUART/ “SUNDAY TIMES”


E keqja e të qenit një komb i stërlashtë qëndron në faktin se mundësitë për të pasur si baba të kombit një qelbanik të urryer janë mjaft të mëdha. Shtetet e reja janë më me fat, Amerika me George Washington dhe thënien e tij rutinë: “Nuk mund të them gënjeshtra”, apo Italia me Garibald-in e kulturuar. Por kohë më parë, mijëravjeçarë më parë, biznesin e krijimit të kombeve e dominonin tiranë mizorë.

Te Çin Çin Shi Huang, kinezët kanë posterin e diktatorit të tyre maniak. Për shekuj me radhë, varri i Çin nuk tërhiqte më shumë vëmendje se ndonjë vend tjetër apo as sa ultësirat përgjatë Xian në qendër të Kinës, ku ai ndodhet. Pastaj, një ditë në vitin 1974 një fermer që gërmonte në pemishten e tij hasi në një gjë të fortë dhe kërcitëse, me kazmën e tij. Kur ai hoqi me dorë tokën që e mbulonte, pa se nuk ishte një gur, por një kokë prej balte të pjekur, ishte vetëm një pjesëz e vogël e thesarit më të madh arkeologjik të zbuluar në shekullin e 20-të.

Në rrugën për në vendin prej nga filloi Kina, pemë të rrëzuara shegësh kanë pikturuar rrugën sikur të ishin lumenj gjaku. Guida fliste pa pushim për madhështinë e Xian, se si ky qytet kishte qenë kryeqendra e të paktën 11 dinastive perandorake kineze, se si rëndësia e tij historike ishte më e madhe se ajo e Pekinit. Shovinizmi i tij ishte i kuptueshëm edhe pse i pakuptimtë dhe i parëndësishëm. Përtej dritares së makinës, në kufijtë e një fushe plot mullarë, unë mund të shihja kodrat e vogla të varreve të shënuara me dërrasa gri, të fermerëve që kishin punuar këto fusha. Pemishtja e fshatarit është kthyer në një hangar të madh sa një fushë futbolli, që njihet ndryshe edhe si hyrja numër 1. Ne vazhduam përmes shtigjeve të ngushta mes biletarisë, dyqaneve të pafund të dhuratave dhe bimëve dekorative. Brenda, pasi kalon çatinë e harkuar, u gjenda para një pamje magjepse, një nga pamjet më të mrekullueshme të botës – luftëtarët terrakota – ushtria e heshtur prej balte të pjekur, me ushtarë sa një bojë njeriu, që ruajnë varrin e Çin.

Muzeu britanik, në ekspozitën e quajtur Perandori i Parë, na ka sjellë disa detaje mjaft interesante të kësaj mrekullie, por asgjë që mund t’iu përgatisë për atë që mund të shihni atje. Asgjë nuk mund t’iu përgatisë për shfaqjen e rreshtave të gjatë të figurave, që qëndrojnë aty ku ndodheshin edhe 2 mijë vjet më parë. Burra të gjatë dhe të pashëm, të rreshtuar në formacione luftimi, në 11 kolona që shtrihen me largësi të barabartë nga njëra-tjetra. Asnjë prej tyre nuk është i ngjashëm me tjetrin. Mijëra ushtarët prej balte të pjekur duket sikur kanë portretin e tyre personal. Por edhe kjo shfaqe gjigande është vetëm një fraksion i ushtrisë së madhe. Mijëra të tjerë presin që të nxirren nga balta.

Është pikërisht ky qëndrim i tyre që të prek. Ne tani ata i shohim si ushtri e humbur. Ata janë pa armë në duar, pasi hajdutët e varreve kanë vjedhur armët e tyre, pak vite pas zbulimit. Gjithashtu shekujt u kanë vjedhur atyre kuptimin. Gërmimet i kanë nxjerrë ata në shesh si budallenj që ndiqnin një jetë të përtejme që nuk ekziston më ose si të angazhuar në një teori komploti qesharake, ku besohej se perandori ishte i pavdekshëm.

Burri që ata ruanin, Çin Shi Huang, themeluesi i Kinës, është hija e një figure spektakolare. Në vitin 221 para Krishtit ai ia doli mbanë që me anë të forcës të bashkonte një numër shtetesh në luftë me njëri-tjetrin në një organizëm të vetëm politik: Kina, entiteti më i vjetër politik i botës. Në terma të tjera, Kina që vijon që prej Çezarit deri në kohën e Obama-s. Një herë rivali bashkëkohës i Romës dhe sot ajo që ndan drejtimin e botës me Amerikën.

Për Çin Shi Huang, kjo ushtri e varrosur është një epitaf i përshtatshëm. Çin njihet për faktin se ai varroste njerëz. Ai varroste të gjallë shkrimtarët, pasi u digjte librat. Kur ndonjë nga punëtorët e tij vdiste në punë, ai i përdorte trupat si mbushje për të ndërtuar rezervuare. Para se të varrosej, ai e kishte rregulluar që konkubinat e tij ende fëmijë të varroseshin të gjalla bashkë me të. Por ashtu si edhe shumë tiranë të tij, ai kishte të gjithë të këqijat dhe gjithë të mirat. Lista e arritjeve të Çin është impresionuese.

Përveç bashkimit të Kinës për herë të parë, ai standardizoi njësitë matëse, prodhoi monedhë universale, një ligj të unifikuar, hodhi themelet e kinezçes së shkruar dhe zhvilloi një burokraci të centralizuar për herë të parë. Ai ishte edhe një ndërtues energjik. Veç një numri të pafund pallatesh dhe më shumë se 4 mijë miljeve rrugë e kanale, ai hodhi themelet e një tjetër mrekullie turistike kineze, Murin e Madh. Dikush mund të fillojë në fakt të mendojë se çfarë do kishte mundur ai të ndërtonte më shumë nëse nuk do i ishte përkushtuar aq shumë varrit të tij.

Me një forcë prej 720 mijë punëtoresh të detyruar, u deshën 38 vjet për të ndërtuar varrin e tij. Kur ai vdiq në moshën 50-vjeçare gjatë një vizite në provincat e tij lindore, ministrat e tij e mbuluan trupin me peshq, për të shmangur erën e keqe dhe e mbartën deri në Xian. Ata duhej ta mbanin vdekjen të fshehtë derisa të arrinin te varri dhe mesa duket ia dolën mbanë. Funerali duket se ka qenë një punë mjaft mizore. Bashkë me konkubinat, mijëra pjesëtarë të stafit besohet të jenë varrosur të gjallë në varr për të ruajtur sekretin.

Por dikush duket se i shpëtoi planit madhor. Shënime të lashta të shkruara jo më shumë se një shekull pas vdekjes së Çin e përshkruajnë varrin e tij me një pamje të jashtëzakonshme, pallatesh nëntokësore me çati prej perlash që imitonin yjet në qiellin e natës, ku kalonin lumenj me mërkurë dhe ishin ngulur pemë që mbanin për fruta, gurë të çmuar dhe kishin të ulur në degë zogj prej ari e argjendi.

Historianët e patën bërë zakon ta mohonin një gjë të tillë, duke e quajtur pjellë të pabesueshme të fantazisë, deri sa rastësia zbuloi ushtrinë e terrakotave. Nëse rojet e varrit janë kaq të shumta dhe kaq fantastike, atëherë të gjithë e kuptojnë se varri në vetvete mund të arrije lehtësisht përshkrimin e tij mitologjik. Ai nuk është hapur ende, por mjaft njerëz bien dakord se kur ai të hapet spektakli, do jetë disa herë më i madh se ai i rojeve që e ruajnë. Mesa duket, ai ruhet prej kurthesh të vogla, kështu që kinezët kur t’i afrohen do duhet të kenë kujdes nga thikat dhe shigjetat e papritura.

Ushtria e Terrakotave është një nga pikat më të famshme dhe më interesante turistike. Dhe si çdo gjë e famshme ajo është e rrethuar nga një sasi e pafund zhurme dhe vogëlsirash. Duhet të përgatitesh jo vetëm për madhësinë e gërmimit, por edhe për madhësinë e turmave dhe shitësve. 2 milionë njerëz e vizitojnë atë çdo vit, përafërsisht rreth 500 çdo orë. Një numër që nuk duket i vërtetë po të kesh parasysh atë që pashë ditën time të parë. Ata sjellin me vete një cirk të tërë, guidat, tezgat, dyqanet e pafund të dhuratave që shesin ushtarë të kopjuar dhe ndërkohë bëhen poza të pafundme për fotografi. Nëse keni shpresuar se këtu do të gjenit një moment të mirë dhe paqësor për të reflektuar mbi çështje si vdekja, e kaluara e të tjera, harrojeni!

Veze Sharri dhe Lecker

Më të lexuara