"Gladio", sekreti i madh i Italisë

/ On : 11:10/ Ju falënderojmë për vizitën në këtë faqe.Për bashkëpunim na shkruani në lajmetari.tetove@gmail.com.
Gjatë Luftës së Ftohtë ushtri sekrete kanë qenë aktive në të gjithë Europën Perëndimore. "Gladio" ishte pjesë e këtij rrjeti, që do të duhej të përballonte një pushtim të Traktatit të Varshavës

Një organizatë për të parandaluar spostimin majtas

Organizata "Gladio" është një copëz në historinë okulte të Republikës italiane, megjithatë rëndësia e saj as nuk duhet mbivlerësuar, as nuk duhet nënvlerësuar, shkak një efekt i mundshëm deformues në rindërtimin e ngjarjeve dhe të përgjegjësive. Sigurisht, që "Gladio" ka qenë pjesë me titull të plotë e Luftës së Ftohtë, që është luftuar në Itali, por duhet shmangur gabimi për të identifikuar tek ajo çelësin interpretues të të gjitha ndodhive të strategjisë së tensionit dhe të masakrave në të.

Gjithçka filloi me një transmetim televiziv të 'Tg1' të korrikut 1990. Në katër seri, të transmetuara më 28 e 30 qershor dhe 1 e 2 korrik 1990, gazetari Ennio Remondino kërkoi që, të rindërtojë prapaskenën e vrasjes së kryeministrit suedez, Sven Olof Joachim Palme (i vrarë në mënyrë misterioze mbrëmjen e 28 shkurtit 1986 në Stokholm). Gjatë investigimit u intervistuan dy dëshmitarë që u kualifikuan si ish-agjentë të CIA-s të gatshëm për të bërë zbulime rrënqethëse rreth raporteve të Shteteve të Bashkuara me të djathtën italiane dhe lozhën masonike P2. Të dy ish-agjentët sekretë amerikanë, Richard Brenneke e Ibrahim Razin (agjenti "Y", alias Oswald Le Winter, ish-gjeneral brigade i ushtrisë amerikane dhe mbikqyrës i Gladios europiane), folën për shuma parash që CIA i dha P2 për të destabilizuar Italinë. Brenneke, foli edhe për diçka shumë të ngjashme me Gladio. Investigimi shkaktoi polemika të shumta, deri në një prej "goditjeve" të Presidentit të atëhershëm të Republikës, Francesco Cossiga. Për shkak të këtyre polemikave, drejtori 'Tg1', Nuccio Fava, dha dorëheqjen. Njëkohësisht, një gjykatës i Venezia, Felice Casson, që investigonte lidhur me diversionet e kryera nga karabinierë dhe shërbime sekrete në hetimin e të ashtuquajturës "masakër të Peteano" (atentat terrorist në të cilin humbën jetën tri karabinierë) po shkonte në rezultate të ngjashme me deklarimet e Richard Brenneke. Qysh në vitin 1984, ekzistenca e diçkaje të ngjashme me Gladio u dyshua nga zbulimet e bëra nga anëtari i "Avanguardia Nazionale", Vincenzo Vinciguerra, gjatë procesit për masakrën e Peteano: "Ekziston në Itali një forcë sekrete, paralele me forcat e armatosura, e formuar nga civilë e ushtarakë, që ka aftësinë për të organizuar një rezistencë ndaj ushtrisë ruse në territorin italian. Bëhet fjalë për një organizatë okulte, një superorganizatë sekrete me një rrjet komunikimesh, armësh e eksplozivësh dhe njerëzish të stërvitur për t'i përdorur ". I thirrur me 1 gusht për t'u përgjigjur në Dhomë me cilësinë e kryeministrit lidhur me raportimet e 'Tg1', Giulio Andreotti, i minimizoi deklarimet e agjentit Brenneke, pasi, siç referoi në Parlament, "CIA e ka hedhur poshtë vendosmërisht përkatësinë e Brenneke në shërbimin amerikan"", duke shtuar: "I konsideroj krejtësisht të privuar nga bonsensi të imagjinohet se Kongresi i SHBA-ve ka mundur të autorizojë apo gjithësesi heshturazi të mbështesë një operacion destabilizimi të kryer kundër një vendi mik dhe aleat si Italia". Por më 2 gusht, duke deponuar përpara Komisionit parlamentar për Masakrat, Giulio Andreotti, pranoi për herë të parë ekzistencsën e një strukture paraushtarake sekrete të tipit stay behind (që do të thotë të qëndrosh "prapa linjave", të operosh në mënyrë okulte), të cilës do t'i besoheshin detyra vigjilence antipushtim. Kjo strukturë fshihej prapa siglës "Gladio". Por, saktësoi Andreotti, sipas informatave të marra prej tij nga shërbimet e sigurisë, aktiviteti i strukturës sekrete kishte pushuar qysh në vitin 1972. Kreu i ekzekutivit u impenjua për të dorëzuar një dosje me detaje më të shumta lidhur me "Gladio".

Praktikisht një dosje ju dorëzua Komisionit më 18 tetor: përbëhej nga 12 faqe. Megjithatë, të nesërmen u zhduk për t'u rishfaqur katër ditë më vonë e krasitur siç duhet. Midis dokumentit të parë dhe të dytë mungojnë periudha të tëra, fshirjet janë të shumta dhe mjaft ngjarje janë errësuar. Për shembull: në dokumentin e parë flitet për kontrollin nga ana e shërbimeve sekrete mbi të gjithë grupin "Gladio", kurse në të dytin nuk përmendet kurrfarë kontrolli; në versionin e parë theksohet se, planifikimi gjeografik dhe operativ ishte rakorduar me shërbimin e informacionit amerikan, kurse në të dytin hiqet tërësisht; në dokumentin "korrekt" zhduket çdo shenjë ndaj financimeve të parashikuara për organizatën, ashtu siç zhduken të gjitha njoftimet lidhur me modalitetet operative të grupit, stërvitje, materiale në dhurim dhe, veçanti interesante, mbi depozitat e armëve dhe të eksplozivëve që në versionin e datës 18 quhen të çmontuara dhe të rindërtuara tjetërkund.

Në dokumenton e 18 tetorit 1990, që kryeministri Andreotti paraqiti në Komisionin parlamentar të Masakrave, zbritet më 26 nëntor 1956 datëlindja e rrjetit klandestin "Gladio". Në realitet, në atë të datë, Sifar-i (Shërbimi i Informacionit i Forcave të Armatosura) dhe CIA proceduan në një "riadaptim" (restatement) të marrëveshjeve midis shërbimit të informacionit italian dhe atij amerikan, lidhur me organizatën dhe me aktivitetin e rrjetit klandestin paspushtim, të ashtuquajturat rrjete Stay Behind. Këto marrëveshje i përkisnin një kohe të mëparshme, periudhës 1951-1952, edhe pse, siç do të shikojmë, një strukturë antipushtim ekzistonte qysh nga viti 1949, megjithëse me emër ndryshe. Në fakt, më 8 tetor 1951, Gjenerali Umberto Broccoli, Drejtor i "shërbimit italian" (dhe jo Gjenerali Musco, siç shkruhet nga Andreotti) i dërgoi Gjeneralit Efisio Marras, Shef i Shtabit të Përgithshëm të Mbrojtjes, një promemorie me titull: "Organizim informativ operativ në territorin kombëtar i dyshueshëm për pushtim armik". Në Itali, ekzistonte tashmë një strukturë klandestine amerikane antipushtim, por Drejtori i Sifar-it kishte marrë në konsideratë nevojën e ndërtimit nga ana e tij e një organizmi të ri të kësaj natyre dhe të kërkonte që të arrihej një koordinim me atë amerikan.

Në rast pushtimi sovjetik apo jugosllav, kjo strukturë duhej të ishte e aftë që të jepte informacione, të sabotonte impiantet e pushtuesit dhe t'u jepte asistencë ushtarakëve të mbetur prapa linjave armike. Shtetet e Bashkuara, Anglia dhe Franca, i kishin organizuar tashmë struktura të ngjashme dhe jo vetëm në territorin e tyre. Më pas, këto struktura u krijuan në të gjitha vendet e Europës Perëndimore, përfshi vende neutralë të tillë si Suedia dhe Zvicra. Të gjitha strukturat, përfshi më pas Gladio, operonin në kuadër të NATO-s dhe koordinoheshin nga Clandestine Planning Committee, organi multikombëtar i kontrolluar nga SHAPE (Supreme Headquarters Allied Powers Europe), me seli në Bruksel të Belgjikës.

Kjo strukturë e fundit ishte një organizëm koordinimi midis vendeve të ndryshme të Europës perëndimore tashmë operative qysh nga viti 1948, edhe pse me emrin Western Union Clandestine Committee (Komision Klandestin i Bashkimit Perëndimor). Në vitin 1990, në një artikull të 13 nëntorit, gazetari i 'International Herald Tribune', Joseph Fitchett, përpunoi termin "Rezistenzë të NATO-s", për të shpjeguar funksionet e këtyre rrjeteve antikomuniste, të financuara pjesërisht nga CIA. Këto "ushtri sekrete" patën emra të ndryshëm, sipas vendit: në Zvicër quheshin në kod "P26", në Austri "OWSGV", në Belgjikë "SDRA8", në Danimarkë "Absalon", në Gjermani "TD BJD", në Luksemburg thjesht "Stay-Behind", në Vendet e Ulëta "I&O", në Norvegji "ROC", në Greqi "LOK", në Turqi "Kundërguerrilje", në Portugali "Aginter". Emrat e koduara të ushtrive sekrete në Francë, në Finlandë, në Spanjë dhe në Suedi mbesin akoma sot të panjohur.

"Gladio" ka ndjekur, në formën më të azhornuar, organizimin e adoptuar nga forcat e rezistencës partizane në Europë gjatë pushtimit nazist. Ka qenë kështu një rrjet klandestin, i futur në kuadrin e NATO-s, për t'u përdorur në eventualitetin e një pushtimi armik të territorit. Origjina e "Gladio" ka zbritur në organizatën O, e cila kishte rrjedhur nga një formacion partizan i bardhë, formacioni Osoppo. Menjëherë paslufte, sapo filloi Lufta e Ftohtë dhe u bë konkret rreziku i një sulmi nga ana e ushtrive të Traktatit të Varshavës, kjo organizatë u fut ligjërisht në Forcat e Armatosura italiane. U pajis me drejtues ushtarakë dhe u përfshi në strukturat sekrete të NATO-s. Stay Behind italiane përbëhej nga 5 njësi përdorimi të shpejtë në rajone me interes strategjik të veçantë, të quajtura: "Ylli Alpin" në Friuli, "Ylli Detar" në zonën e Triestes, "Rododendro" në Trentino Alto Adige, "Azalea" në Veneto dhe "Xunkthi" në zonën e liqeneve lombarde. Në varësi të Ufficio R të Sifar-it, zyra artikulohej në 40 bërthama, nga të cilat 6 informative, 10 sabotimi, 6 propagande, 6 arratisjeje dhe largimi, 12 guerrilase. Veç këtyre, qenë ndërtuar 5 njësi guerrilase përdorimi të shpejtë në rajone me interes të veçantë. Organizimi në më shumë nivele e bëri strukturën më të mbrojtur në rastin kur një njësi zbulohej. Në fakt, ekzistonin të paktën tri nivele: një i formuar nga elementë të destinuar të "zgjasnin" në territorin eventualisht të pushtuar dhe, për pasojë, jo lehtësisht të indvidualizueshëm për sa jo të dyshueshëm; një tjetër i formuar nga njësi guerrilase me përdorim të shpejtë për t'u aktivizuar prapa krahëve të armikut si banda partizane në kuptimin e vërtetë të fjalës; një tjetër ishte drejtues. Ky i fundit, më i mbrojturi nga të gjithë, ka mbetur i errët edhe për sytë e vetë "gladiatorëve" dhe përbëhej nga individë, emrat e të cilëve duhej të mbesnin të panjohur (dhe që deri më tani praktikisht janë të tillë).

Hetimet lidhur me "Gladio" janë përqendruar në nivelet më të ulëta të organizatës, përfshi emrat e 622 gladiatorëve, shumë prej të cilëve kanë qenë pjesë e "Gladio" në mirëbesim, pasi mendonin se do të duhej të operonin vetëm në funksion antipushtim. Nuk është mundur të zbulohet më shumë, pasi shumë gjurmë kompromentuese janë fshirë, edhe me zjarr, siç rezulton nga vendimi dhe nga raportet e ekspertëve të procesit "Gladio". Në raportin e vlerësimit të kryer nga Giuseppe De Lutiis për llogari të Gjykatës së Bolonjës lexohet: " [.] Është për t'u theksuar se në regjistrat e protokollit hasen një sasi e jashtëzakonshme dokumentash të shkatërruar me zjarr në ditët midis 29 korrikut dhe 8 gushtit 1990, domethënë në përputhje me aksesin e Gjykatësit Casson në Shërbim për konsultimin e dokumentave (27 korrik 1990) dhe me deklarimet e kryeministrit Andreotti përpara Parlamentit (më 2 gusht në Dhomë dhe më 3 gusht në Komisionin parlamentar për Terrorizmin dhe Masakrat)" (Raport vlerësimi në procedimet penale të Gjykatës së Bolonjës Nr. 219/A/86. Rgg dhe Nr. 1329/A/84 Rggi, dorëzuar më 1 korrik 1994, fq. 3).

Në vijim të marrëveshjeve Itali - Shtetet e Bashkuara, gjatë vitit 1959, CIA arriti që të dërgojë edhe materialet me karakter operativ për t'u groposur në zonat e ndjeshme (të ashtuquajturat Depozita Nasco). Duke filluar nga viti 1963, u vazhdua me vendosjen e kutive. Në total, sipas investigimeve të zhvilluara nga prokurorët, depozitat Nasco kanë qenë 139. Midis materialeve në fjalë përfshiheshin armë të lehta, municione, eksplozivë, bomba dore, thika, mortaja 60 milimetërshe, topa 57 milimetra, pushkë snajper, radiotransmetuese e kështu me radhë. Pjesë e materialit Nasco do të rezultojë se është identike me ato të përdorura për disa masakra të kryera në Itali. Për shembull, eksplozivi plastik C4 i gjetur në vitin 1972 në Aurisina, pranë Triestes duket se është identik me atë të përdorur në Peteano për të hedhur në erë Fiatin 500 që vrau tri oficerë të Armës. Por me këto do të merremi më poshtë.

Amerikanët e pajisën strukturën edhe me një avion Dakota C47, emri i koduar "Argo-16", i dhënë për operacionet e transportit. Ky avion do të shfaqet në disa ngjarje të errëta të Republikës së Parë. Përqendrimi më i madh i këtyre depozitave ka qenë në pjesën më të madhe në Italinë e Veriut, në rajonet e Verlindjes, megjithatë edhe në Jug janë sinjalizuar disa prani: për shembull, në zonën e Napolit kanë ekzistuar një apo dy depozita për sabotatorë, ashtu si dhe në atë të Tarantos. Materiali i destinuar për rrjetin klandestin nuk ishte vetëm ai i groposur në depozitat Nasco në kuti të vulosura: armatimi dhe materiali për "Njësinë e përdorimit të shpejtë" ishte edhe në sipërfaqe, pranë disa kazermave të karabinierëve dhe në bazën Capo Marrargiu në Sardenjë. Një pikë e paqartë lidhur me materialet Nasco është ajo lidhur me përpjestimin midis sasisë së tyre dhe numrit të gladiatorëve. Në fakt, zyrtarisht nuk është kaluar kurrë një mesatare prej 250 efektivësh: është mjaft jologjike të besosh se financimi dhe armatimi i destinuar për Gladio të kenë shërbyer vetëm për të bërë operative një forcë klandestine prej pak më shumë se 200 njerëzish. Le të studiojmë tani shkurtimisht evolucionin numerik të strukturës.

Në vijim të ndryshimeve gjeopolitike në Europë, duke filluar nga viti 1974 u rishikua i gjithë programimi i rrjetit. Mbi bazën e një memorandumi të titulluar "Direktiva bazë në luftën jokonvencionale në territoret e pushtuara nga armiku", u hoqën njësitë e përdorimit të shpejtë. Këto u zëvendësuan: nga "Njësitë guerrilase", të vendosura në të gjithë territorin kombëtar (dhe kështu jo më të kufizuara në rripin aplin verilindor), me një organikë prej 105 njësi secila; nga "Rrjetet e Aksionit Klandestin", me një organikë prej 25 njësishë secila; nga "Bërthamat", për t'u ngritur në zonat ku ndoshta do të ishte i nevojshëm një aktivitet informimi apo eksfiltrimi, me një organikë prej 5 njësish secila. Domethënë, forca e përgjithshme e programuar, duke filluar nga viti 1974 ishte kështu prej 2874 njësish. Duke ju përmbajtur akteve të investigimeve, forca efektive mbeti megjithatë dukshëm nën këtë numër.

Qendër dhe seli qëndrore e ushtrisë klandestine të Gladio qe baza ushtarake sarde Capo Marrargiu, e cila u bë Centro Addestramento Guastatori (GAG). Jashtë bazës dukej simboli i shpatës Gladio dhe motoja Silendo Libertatem Servo. Ndërtimi i "bazës" filloi rreth vitit 1954. Para së gjithash u morën të gjitha lejet e nevojshme, pastaj u procedua me ndërtimin e një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar, "Torre Marina", e ngritur publikisht pranë noterit De Martino, i cili pati si ortakë Gjeneralin, Musco, në atë kohë Drejtor i Shërbimeve, Kolonelin Santini, Shef i Sios-Aeronautica, dhe Kolonelin, Fettarappa, drejtues i Ufficio R të Sifar-it. Për të lejuar që t'u shmangej normave të ligjit, të cilat u ndalonin oficerëve që të posedonin kuota aksionere dhe të ngrinin shoqëri, qe i nevojshëm një autorizim special i ministrit të Mbrojtjes, Paolo Emilio Taviani.

Për realizmin e Qendrës, CIA caktoi 300 milion lireta. Koloneli Renzo Rocca pati detyrën që të mbikqyrë ndërtimin e bazës së re stay behind italiane. Përveç me struktura për mikpritje, Qendra u pajis edhe me bunkerë nëntokësorë, aparate radiotransmetimi me rreze të gjatë, poligone gjuajtjeje, zona për kurset lidhur me përdorimin e eksplozivëve, salla për mësime me karakter ideologjik, pajisje nënujore për stërvitjen e njerëzve - bretkocë, dy pista uljeje për aeroplanët dhe një për helikopterët. Qendra e Capo Marrargiu duhej të përbënte edhe bazën operative "të fundit" të rrjetit. Në rastin kur edhe Sardenja do të pushtohej nga armiku, Komanda do të transferohej në Angli. Në brendësi të shkollës në Capo Marrargiu operonin të ashtuquajturit "të brendshëm", për më shumë ushtarakë efektivë të Divizioni të 7-të të Shërbimeve ushtarake, të ngarkuar që të formonin dhe të stërvisnin "të jashtmit" (gladiatorët).

Baza sarde u shërbeu edhe specialistëve të CAG-it: në fakt, në brnedësi të saj stërviteshin edhe shumë reparte speciale të tjera të forcave të armatosura italiane dhe aleate. Pranë shkollës sarde u mbajtën kurse përgatitjeje për teknikat e "luftës së çrregullt", mbi tema të tilla si sabotim, guerrilje, infiltrim, eksfiltrim dhe fshehje dhe groposje të depozitave Nasco. Në praktikë bëhej fjalë për të mësuar teknika sabotimi, lufte me intensitet të ulët, favorizim hyrjeje klandestine grupe repartesh speciale aleate në territorin e pushtuar, favorizim daljeje pa rreziqe nga territori i pushtuar i personave me rëndësi, si politikanë, shkencëtarë, spiunë, natyrisht përveç elementeve të grupeve të hyrë në mënyrë klandestine. Kurse përsa i përket fshehjes së depozitave Nasco, gjithçka mbeti në teori. Në fakt, Nasco-t u depozituan në vitin 1963 nga personel i "brendshëm" dhe asnjë prej gladiatorëve nuk i njihte vendndodhjet të cilat, në rast nevoje përdorimi, do të sinjalizoheshin siç duhet nëpërmjet mesazheve të shifruara.

Pyetja për t'u bërë tani është: në çfarë aksionesh ka marrë pjesë "Gladio"? Zyrtarisht në asnjë, strukturë nuk është aktivizuar kurrë, të paktën kjo është zbuluar nga dokumentat e pakët të mbijetuar të gjetur nga Prokuroria. Por problemi është se prania e "Gladio" ose të paktën historia e disa personazheve dhe e disa "pajisjeve" të strukturës shfaqen në faqet më të errëta të historisë së Republikës. Edhe disa deklarime të ish-anëtarëve, por të konsideruara jo të besueshme nga Prokuroria, kanë lënë të kuptohet se prapa Gladio kishte tjetër. Për shembull, Vincenzo Vinciguerra, i cili në marrjen në pyetje të tij të vitit 1984 rrëfeu: "Kjo superorganizatë, duke qenë se një pushtim sovjetik realisht nuk do të mund të ndodhte, kishte marrë detyrën, për llogari të NATO-s, që të parandalonte një spostim majtas të ekuilibrave politikë të vendit. Këtë e realizoi me asistencën e shërbimeve sekrete dhe të forcave politike dhe ushtarake".

Dokumentat e gjetura nga Prokuroria, edhe pse jo të plotë, nuk e verifikojnë këtë, megjitatë dimë se shërbimet sekrete, të cilët kontrollonin rrjetet stay behind në Itali, kontaktuan dhe morën nën mbrojtje të rinj neofashistë që më pas u përfshinë në një seri operacionesh terroriste, për të cilët u akuzuan në mënyrë false anarkistë për të diskredituar të majtën. Jo vetëm siç referohet, shumë dokumenta u shkatërruan, por jo rrallë disa njerëz të përfshirë në "Gladio" vdiqën në rrethana misterioze. Le të shikojmë ndonjë shembull që ngre dyshime lidhur me strukturën "Gladio". Enrico Mattei, Presidenti ENI-t, vdiq në vitin 1962 në incidentin e dymotorëshit që po e çonte në Milano. Ata që hipotezuan një marrëdhënie midis "Gladio" dhe çështjes Mattei kanë qenë në vitin 1995 gjykatësit Benedetto Roberti dhe Sergio Dini të Prokurorisë Ushtarake të Padova dhe Felice Casson, zëvendësprokuror në Venezia. Dy elementët bazë që i kanë shtyrë gjykatësit të hipotezojnë një lidhje midis Gladio dhe çështjes Mattei. I pari, i përket njërit prej badigardëve të Presidentit të ENI-t, Giulio Paver, që ka rezultuar i regjistruar në Gladio. Nga dokumentacioni i sekuesruar pranë Degës së VII-të të Sismi-t, ku janë ruajtur arkivat sekrete të Gladio, Dini dhe Roberti, kanë sqaruar më pas se organizatës laciale të Gladio u përkisnin edhe Lucio e Camillo Grillo, mbiemër jo i ri (në këtë bërthamë territoriale bënte pjesë edhe Armando Degni, i cili do të investigohet për të tentuarin "Grusht shteti Borghese"). Në fakt, një misterioz "kapiten Grillo", oficer i supozuar i Karabinierëve, inspektoi me dy "kolegë" të tjerë avionin e Mattei përpara ngritjes nga Catania. Piloti, një tjetër habi, në atë moment mungonte. Pak muaj pas vdekjes së Mattei, Giulio Paver e la detyrën e tij tek ENI. Ndoshta, sepse detyra e tij kishte mbaruar. Aktivitetet e Presidentit të ENI-t përbënin një problem për Shtetet e Bashkuara dhe ndonjë gladiator mund të jetë ngarkuar kështu për ta "zgjidhur problemin", ndoshta me bashkëpunimin e Mafias.

"Gladio" futet drejtpërsëdrejti edhe të ndodhinë e të ashtuquajturit "Piano Solo". Ky qe një plan i përgatitur nga Gjenerali mason De Lorenzo, shef i Sifar-it, që përpunoi një projekt grushti shteti për t'u zbatuar në rastin në të cilin qeveria e qendrës së majtë (e kryesuar nga Aldo Moro) mos ridimensiononte kërkesat e saj reformiste. Përveç pushtimit të objektivave strategjikë në qytetet kryesore italiane, "Piano Solo" parashikonte edhe arrestimin e mbi 700 drejtuesve komunistë e socialistë, sindikalistë, intelektualë të majtë dhe eksponentë të së majtës të Demokracisë Kristiane, për t'u deporuar më pas në Sardenjë, pikërisht në bazën e Capo Marrangiu. Mbi ngjarjen, qeveria vendosi sekretin shtetëror. Një tjetër "çudi" lidhet me vdekjen e komisarit Luigi Calabresi. Vdekja e supozuar e ekstremisttit të djathtë, Gianni Nardi, zyrtarisht i vdekur në një incident automobilistik më 10 shtatori 1976 në Palma di Maiorca, mundësoi që të mbylleshin përfundimisht hetimet e përfshirjes së vetë atij si në vrasjen e komisarit Calabresi, ashtu dhe në një trafik të madh armësh. Një farë Gianni Nardi është i pranishëm në listat Gladio me siglën 0565. Gladio duket se qëndron edhe në "Masakrën në Kuesturën e Milanos", e ndodhur më 17 maj 1973 dhe që provokoi vdekjen e 4 personave dhe plagosjen e 45 të tjerëve. Autori i gjestit kriminal, Gianfranco Bertoli, rezulton se merr rrogë nga Sifar-i, i lidhur me grupin e djathtë "Pace e Libertà" dhe, në mënyrë të veçantë, një anëtar i organizatës Gladio me siglën 0375. Në arkivat e shërbimeve, gjykatësi investigues Lombardi gjen gjurmë pagesash të bëra në drejtim të Bertoli, i cili përfiton një sigël mbulimi: TRO31, emri i koduar "Negro".

Në çështjen Moro, prania e Gladio duket mbresëlënëse. Është verifikuar se të paktën 14 ditë përpara, struktura Gladio ishte tashmë në dijeni të rrëmbimit. Veç të tjerash, është verifikuar se disa plumba të qëlluar nga brigadistët në Via Fani duket se kanë të njëjtat karateristika me ato të pranishme në depot Nasco. Mëngjesin e ngjarjes, në mënyrë krejtësisht të rastësishme, Koloneli i Sismi-t Camillo Guglielmi, instruktor pranë bazës Gladio në Capo Marrargiu, u gjend duke kaluar pikërisht në momentin në të cilën kryeministri Moro po rrëmbëhej nga brigadistët. Edhe makina e shtypshkrimit model Ab Dick 360 T (matrikulla nr. 938508) e përdorur nga Brigadat e Kuqe për komunikatat e tyre gjatë rrëmbimit Moro, duket se vinte nga Ufficio del Raggruppamento Unità Speciali (Rus), domethënë zyra që kryente stërvitjen e gladiatorëve. Ndoshta, Moro foli për Gladio në "procesin" e tij nga ana e Brigadave të Kuqe, për këtë arsye ndodhia lidhur me memorialin që përfshin zbulimet e shtetarit është shumë e deformuar, me zhdukje letrash dhe gjetje të rastësishme, deri me vdekjen e Gjeneralit Dalla Chiesa (zyrtarisht i vrarë nga Mafia), i cili u vu në posedim të këtyre letrave. Për të konkluduar, edhe në vdekjen e gazetares Graziella De Palo dhe të redaktorit Italo Toni, duket se hyn struktura Gladio. Të rrëmbyer më 2 shtator 1980 në Liban dhe më pas të vrarë, të dy gazetarët po zhvillonin një investigim gazetaresk lidhur me një trafik të supozuar ndërkombëtar armësh midis OÇP-së dhe Italisë, si dhe lidhur me kamept stërvitore palestineze të ndodhur në jug të Libanit. Hetimet e kryera lidhur me vdekjen e dy gazetarëve u devijuan nga ana e shërbimeve sekrete italiane. Gjenerali Giuseppe Santovito, Drejtor i Sismi-t, dhe Koloneli, Stefano Giovannone, shef i qendrës së shërbimeve në Bejrut nga 1972 më 1981, do të rezultojnë të dy të lidhur Gladio. Vdekja e papritur e tyre e ndërpreu procesin në ngarkim të tyre për aktivitetet e diversionit.

Struktura Gladio u shkri zyrtarisht nga kryeministri Giulio Andreotti në nëntor të 1990. Njëkohësisht, u dhanë për dijeni të opinionit publik emrat e 622 gladiatorëve. Ish-gladiatorëve ju dërgua një letër lirimi nga drejtori i Sismi-t, Admirali Fulvio Martini, të cilën e përmbledhim: "Me urdhër të Qeverisë, struktura Stay Behind është shkrirë më 27 nëntor 1990. Kështu që me marrjen e letrës prania juaj duhet të konsiderohet si e çliruar nga çdo detyrim i lidhur me strukturën e sipërpërmendur. Pushtohet kështu çdo formë fshehtësie. Shërbimi Ju falenderon për gatishmërinë e vetëdijshme të ofruar në perspektivën e mundshme të një detyre legjitime dhe bujare në ndodhjen fatkeqe të një pushtimi ushtarak të Italisë. Është me këto ndjenja që ju dërgoj falenderimin tim dhe përshëndetjet e mira më të përzemërta". Ndërsa, Rusia hapte arkivat e saj, Shtetet e Bashkuara i shtuan dryne të tjera të tyreve, duke refuzuar që të bashkëpunojnë me organet italiane. Kurse në Itali u mendua mirë që të shkatërrohej një pjesë e mirë e këtyre arkivave. Kjo i ka mundësuar Komisionit parlamentar, të kryesuar nga Tarcisio Gitti, që të votojë konkluzionin në të cilin pranohet si legjitimiteti i plotë i strukturës, ashtu dhe mungesa e devijimeve.

Përgatiti:ARMIN TIRANA

Veze Sharri dhe Lecker

Më të lexuara