| | | Lexo më shumë

Dhembja e vrasjes në Tetovë: “E dërguam për provim, na u kthye e vdekur”!


Jeta ishte para saj, ishte aq e bukur, e mençur dhe ambicioze, si mundi të ndodhë kjo. Me pafuqi përsëritnin këto fjalë të afërmit e 20 vjeçares Resmije Dalifi nga fshati Jazhincë e Tetovës e cila u qëllua të hënën pasdite në qendër të Tetovës.
Lot dhe dhimbje tek të afërmit e studentes së administratës publike në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT). Grumbull njerëzish vinin në shtëpi për t’u dhënë ngushëllime prindërve.
Nuk mund të kuptonin përse vajza e hareshme e rrugës së tyre shkoi në botën tjetër. Sipas informacioneve nga MPB, krimi ka ndodhur rreth orës 15:30 në udhëkryqin e rrugëve “Marshall Tito” dhe “Vidoi Smilevski – Bato” në Tetovë kur një person i panjohur nga një automjet ‘BMV 520’ pa targa është ndalur dhe ka qëlluar Resmijen me disa plumba, me çka i ka shkaktuar dy plagë në gjoks.
Vajza është dërguar në Qendrën urgjente në Tetovë, e pastaj edhe në klinikat e Shkupit ku i është nënshtruar plagëve. I dyshuari për vrasjen Hazbi S. me automobilin e tij ka ikur kah Shkupi.
Është vërejtur nga “Alfat” policore. Pastaj pason ndjekja. Siç flitet, djaloshi ka ndaluar në urën në Saraj dhe është kanosur se do të vetëvritet. Ka ndërruar mendje, dhe më pas është arrestuar, dhe i është caktuar një muaj paraburgim.
Në vendin e ngjarjes është bërë mbikëqyrje, ndërsa janë gjetur tre gëzhoja nga pistoleta dhe dy plumba të pashkrepur, transmeton “Utrinski vesnik”.
Por, cila ka qenë arsyeja për vrasjen –informacione zyrtare ende nuk ka. Tek djaloshi është gjetur një letër lamtumire, e cila ndoshta tregon seriozitetin e tij të merr jetën.
Por, storja më e përhapur që përflitet është se Hazbiu dhe Resmija kanë qenë në lidhje dashurie? Ajo ka ndërprerë lidhjen dhe ai nuk ka mundur të pajtohet me këtë.
Por të afërmit e saj kategorikisht demantojnë këtë. “Turp është ajo çka flitet nëpër media se kanë qenë të dashur. Asnjëherë nuk kanë qenë bashkë.
Ai nuk mundi me asgjë ta përfitojë atë”, thonë të afërmite saj. Ajo ishte në vitin e dytë të studimeve në USHT, ndërsa ditën e hënë ajo ishte nisur bashkë me shoqet e saja në Fakultet. “Resmija atë ditë ka dhënë dy provime.
Pasdite ajo është nisur për në shtëpi. Është ndalë në rrugën ku pritet furgoni për në Jazhnicë. Ai ka ardhur deri tek ajo, e ka kapur për dore, e ka shmangur dhe ka shtënë drejt saj”, shpjegon familja e saj.
| | | Lexo më shumë

Sot hapet Qendra tregtare ‘Palma Mall’ në Tetovë – VIDEO

Bëhet fjalë për qendrën e re tregtare “Palma Mall”, e locuar në hyrje të Tetovës, përgjatë autostradës që e lidh me Shkupin, e cila zyrtarisht pritet t’i hapë dyert e saja për vizitorët sot më 30 prill.
Gjatë ceremonisë së hapjes do të realizohen aktivitete të ndryshme për të gjithë vizitorët. Kjo ngjarja është projektuar si një mozaik aktivitetesh gjatë gjithë ditës, për të përfunduar me një shfaqje-spektakël qendror në mbrëmje. Mysafirë special në hapjen zyrtare të këtij projekti madhështor do të jenë këngëtarët Adelina Tahiri dhe Sarah Mays.
Qendra e re tregtare moderne “Palma Mall” ka një sipërfaqe prej 32.000 m2 në 3 kate dhe i njeti ka shumë lokale ndër të cilat edhe dyqane të brendeve botërore, regjionale dhe lokale, sallon të madh të teknikës së bardh, supermarket, restorant, pjesa e ushqimeve të shpejtë, pjesë për lojra, kino dhe shumë vende për zbavitje për vizitorët të të gjitha moshave. Qendra tregtare “Palma Mall” ka hapsirë të madhe për parking dhe e njeta do të jetë falas./Shqipmedia

| | | Lexo më shumë

Sukseset e shqiptarëve në Amerikë


Një aktore hollivudiane dhe një nga kërcimtarët e famshëm në botë do të rrëfejnë 150 historitë më të suksesshme të shqiptarëve në Amerikë në dy dekadat e fundit.
Spektakli “Albanian American Sucess Stories”, një iniciativë e paparë ndonjëherë, e cila rrëfen sukseset dhe arritjet e shqiptarëve në Amerikë do të organizohet në New York më 3 Maj. Aktorja Eliza Dushku dhe balerini Tony Dovolani në bashkëpunim me grupin “Fadil Berisha Studio”, së bashku me Këshillin Amerikanë, Fondin e Arsimit Ndërkombëtar Amerikan për Kosovën është duke përgatitur një spektakël të përzgjedhur me mbi 150 shqiptarët më të suksesshëm të viteve të fundit në gjithë fushat e dijes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Entuziazmi për këtë iniciativë ka prekur së tepërmi aktoren Eliza Dushku, e cila ka postuar dje në rrjetin social “Facebook” një dedikim për këtë nismë të parë që mbahet në Amerikë.
Ngjarja më e madhe argëtuese e kulturore shqiptaro amerikane në SHBA, sipas organizatorit do të shoqërohet me premierën e një dokumentari realizuar me portretizimet e mbi 150 shqiptaro amerikanëve më të suksesshëm, duke përfshirë edhe fituesin e çmimit “Nobel” për Mjekësi Dr. Ferid Murad, të parin shqiptar të zgjedhur në një post zyrtar amerikan në atë të Kuvendit e shtetit të New Yorkut, Mark Gjonaj, aktoren e famshme dhe të njohur në botë, Eliza Dushku dhe supermodelen Emina Cunmulaj, fotografin e njohur në Amerikë, Fadil Berisha, bankierin Richard Lukaj, gazetaren e Fox News Lidia Ujkaj, bamirësen Shpresa Xhakli, komedianin e famshëm James Belushi, Lisa Milicaj, tenorin Saimir Pirgu, aktorin Mike Dusi, dhe shumë të tjerë.
| | | Lexo më shumë

Pyetjet shkencore të cilave duhet t’ua dini përgjigjet


Të rrethuar nga mrekulli teknologjike, që nga bankomatet që flasin te satelitët e telekomunikacionit, njerëzit janë shumë të etur për t’u përditësuar me mjetet shkencore, por jo dhe aq me shkencën
Në një studim të vitit 2009 në SHBA, u zbulua se vetëm 53 për qind e të rriturve të anketuar e dinin se planetit Tokë i duhej një vit për t’u rrotulluar rreth Diellit dhe vetëm 59 për qind e tyre ishin të qartë se njerëzit e hershëm dhe dinozaurët nuk kanë ekzistuar në të njëjtën kohë. Një nga pesë njerëz ishin në gjendje t’u përgjigjeshin saktë tri pyetjeve elementare për shkencën. Ja se cilat janë përgjigjet e pyetjeve më të thjeshta shkencore.
Përse qielli është i kaltër?
Kërkuesit europianë kanë zbuluar se drita nga pjesa blu e spektrit ndikonte pozitivisht tek emocionet e njeriut. Qielli është i kaltër falë një efekti të quajtur shpërhapje. Drita e Diellit duhet të kalojë përmes atmosferës së Tokës, që është e mbushur me gaze dhe grimca, të cilat e shpërndajnë atë kudo. Drita është e përbërë nga ngjyra të ndryshme, që kanë gjatësi vale të variueshme. Drita blu ka relativisht gjatësi vale të shkurtër dhe për këtë shkak shpërhapet më shumë teksa kalon në atmosferë. Kjo është arsyeja përse qielli është blu, kur Dielli është i ngritur në pikë kulmore. Në lindjen dhe perëndimin e Diellit, rrezeve të tij u duhet të udhëtojnë në distanca më të largëta për të arritur pozicionin tuaj. Kjo është edhe arsyeja përse perëndimet dhe lindjet e Diellit kanë ngjyra të kuqe, të verdhë ose portokalli.
Sa e vjetër është Toka?
Mosha e Tokës është një debat i hapur për shkencëtarët që prej një kohe shumë të gjatë. Në vitin 1654, një studiues i quajtur John Lightfoot, llogariti që sipas Biblës, Toka ishte krijuar në orën nëntë të mëngjesit sipas orës së Mesopotamisë, në datën 26 tetor të vitit 4004 përpara erës sonë. Megjithatë, zbulimi i radioaktivitetit bëri që shkencëtarët ta kenë më të lehtë të matin moshën e gurëve apo meteorëve. Prej kësaj u përcaktua se Toka është afërsisht 4.54 miliardë vjeçe.
Do të ndalojë ndonjëherë ndriçimi i Diellit?
Dielli do të ndalojë ndriçimin kur hidrogjeni që ka në sipërfaqen e tij, që digjet si karburant për të krijuar dritën e Diellit, do të mbarojë. Ky do të jetë fillimi i ‘vdekjes’ së Diellit, në të cilën korja e tij do të tkurret dhe shtresat e tij të jashtme do të fillojnë të shpërthejnë, duke e kthyer Diellin në një gjigant të kuq. Në një shpërthim final, Dielli do të ngrohë tej mase sistemin diellor me një valë ngrohtësie që do të shkrijë përkohësisht gjithçka. Me shumë gjasa planetët që ka afër, përfshirë edhe Tokën, do të thithen prej gjigantit duke u kthyer në hi. Dielli mendohet se është në gjysmën e jetëgjatësisë së tij dhe se pas një miliard vitesh nga tani, do të jetë 10 për qind më i ndritshëm.
Nga shkaktohet një ylber?
Te Zanafilla, Zoti vuri në qiell një ylber pas Përmbysjes së Madhe dhe i tha Noas se ishte shenjë e një marrëveshjeje mes tij dhe Tokës. Grekët shkuan më larg, duke e perceptuar ylberin si një Zot të quajtur Iris. Ylberi shkaktohet prej bulëzave të ujit që mbeten pezull në atmosferë pas një stuhie shiu. Bulëzat janë të një dendësie tjetër nga ajri rrethues, ndaj kur drita e Diellit i prek, ato sillen si një prizëm i vogël dhe reflektojnë valët e dritës te ne. Që të jemi në gjendje të shohim ylberin, duhet t’i kemi kthyer shpinën Diellit.
Çfarë thotë teoria e relativitetit?
Kur dikush i referohet teorisë së relativitetit, në fakt ai po flet për dy teori, relativitetin special dhe atë të përgjithshëm, që u hartuan nga fizikani Albert Ajnshtajn në fillim të viteve 1900. Për shkak se jo të gjithë ishin në gjendje ta kuptonin këtë teori, Ainshtajni mendoi një mënyrë të zgjuar për ta shpjeguar. Ai tha: “Kur një burrë qëndron pranë një vajze të bukur për një orë, i duket si një minutë. Por kur ai ulet mbi një sobë të ngrohtë për një minutë, i duket si një orë. Ky është relativiteti.” Përpara Ainshtajnit, njerëzit mendonin se koha dhe hapësira ishin të pandryshueshme. Por fizikani përdori llogaritjet matematikore për të shpjeguar se hapësira dhe koha mund të pësojnë ndryshime. Ai provoi se koha kalon ndryshe në varësi të fushës gravitacionale apo nëse lëviz shumë shpejt. Koha lëviz më ngadalë, për shkak të një fenomeni të quajtur “zgjerimi i kohës”. Pra, koha varet nga forca të fuqishme si graviteti apo nxitimi. Kështu, nëse një objekt lëviz shpejt apo nëse mbi të veprojnë forca graviteti të fuqishme, koha për atë objekt do të kalojë më ngadalë, krahasuar me një objekt tjetër që nuk është në të njëjtën situatë.
| | | Lexo më shumë

10 arsye të thjeshta për të cilat ia vlen të jetosh


Shumica prej jush harron se jeta është tepër e shkurtër! Sorollateni sikur të keni gjithë kohën që doni, por nga ana tjetër kur bini pre e stresit dhe e problemeve nuk doni më ta jetoni atë! Kjo nuk është aspak e drejtë, pasi mjafton të kujtoni vetëm 10 arsye të thjeshta për të cilat ia vlen të jetosh! Zbulojini më poshtë…
Ka një sërë arsyesh për të cilat ia vlen të jetosh: sot do t’ju propozojmë 10, ato që në dukje janë më ndikueset për secilin prej nesh! Shikim të këndshëm!
10. Mund të hash një picë
Arsyeja më e thjeshtë, por edhe më e shijshme: nëse jeni me humor të keq, gatuani një picë ose shkoni dhe hajeni atë në një piceri! Do të shihni se si në pak minuta do t’ju vijë një buzëqeshje e bukur!
9. Mund të luash me videolojëra
Jeni të mërzitur? Nuk keni asgjë për të bërë? Atëherë ose lexoni një libër të bukur ose bëni një ndeshje me videogame, që zakonisht është një “ilaç” i thjeshtë për më të vegjlit! Futboll, apo gara me makina, nuk ka rëndësi se çfarë vendosni të luani, e rëndësishme është që të kënaqeni shumë!
8. Mund të dëgjosh muzikën që do
A e dinit se dëgjimi i muzikës për një orë në ditë ul depresionin dhe ankthin në 25 për qind? Në bazë të kësaj, vendosni kufjet ose ngrini volumin e muzikës, në shtëpi ose në makinë, kudo që gjendeni. Duke dëgjuar këngët tuaja të preferuara mund të gjeni menjëherë buzëqeshjen dhe dëshirën për të jetuar këtë jetë në mënyrën sa më të mirë të mundshme.
7. Mund të frymëzohesh nga shumë persona dhe të kesh idhujt e tu
Këngëtar, futbollist, DJ, shkrimtar, poetë…nuk ka rëndësi, se cilët janë idhujt tuaj: ndiqni gjithmonë, merrni shembull nga ata dhe rigjeni inspirimin tuaj, që nuk do të mund të jetë i pavlefshëm nëse nuk hiqni dorë nga ëndrrat tuaja!
6. Mund të shikosh të gjithë filmat apo serialet që doni
Nëse ju nuk mund të arrini pikat sa më sipër, qetësohuni, nuk ka problem: çfarë gjëje tjetër është më e mirë sesa të shikoni filmin tuaj të preferuar duke u rehatuar në divanin e sallonit tuaj? Në ditët e sotme, filmat për t’u parë nuk mungojnë kurrë, as në televizion dhe as në dyqanet me DVD!
5. Mund të duash kë dëshiron dhe të përpiqesh që të të duan
Kjo padyshim është një ndjenjë brenda nesh që sa herë shfaqet na kujton se sa e bukur është jeta: sigurisht, po flasim për dashurinë! Dashuroni dhe përpiquni që t’ju dashurojnë dhe nëse gjërat nuk janë reciproke, mos u demoralizoni, përkundrazi! Të gjithë kanë nevojë të rriten, të mësojnë dhe të kenë eksperiencë: mos u fiksoni shumë te një person, shikoni përreth, sepse shpesh personi i duhur për ne është më afër nga sa mund ta mendojmë!
4. Mund të përdorësh internetin
Me internetin, në ditët e sotme, mund të bësh vërtet gjithçka: të luash, të gjesh informacione, të argëtohesh, të qëndrosh i/e lidhur me tërë botën, falë rrjeteve sociale, të shikosh video, të flasësh me miqtë dhe familjarët, të bësh pazar dhe shumë gjëra të tjera. Pra ai nuk të mërzit!
3. Mund të udhëtosh
Sipas një studimi të fundit, nëse shpenzohen shumë para për të blerë objekte materiale, te lumturia nuk arrihet kurrë, por ndërkohë nëse ato para shpenzohen për të udhëtuar, atëherë lumturia që ndiejmë është shumë e madhe! Nuk ka asgjë më të bukur sesa një udhëtim përreth botës, për të zbuluar horizonte dhe kultura të reja!
2. Mund të përpiqesh të përmirësohesh vazhdimisht
Një prej objektivave kryesorë për gjithsecilin prej nesh është përmirësimi sa më i mundshëm, në vazhdimësi: provohet për t’u rritur, për t’u bërë dikush dhe për të realizuar ëndrrat në sirtar…E gjithë kjo është qartësisht e mundshme: është pikërisht kjo e bukura e jetës, të shohësh veten duke ndryshuar për mirë, duke u rritur, përmirësuar, duke u ndier në paqe me vetveten! Jeta kështu është, nuk ndalemi asnjëherë së mësuari!
1. Mund t’i japësh shoqërisë kontributin tënd
…dhe në fund gjëja më e bukur është të zbulosh se ekzistenca jote, ndoshta ka vërtet një kuptim: dhënia e kontributit tënd të madh ose të vogël për shoqërinë apo komunitetin ku jeton! Mos ngurroni asnjëherë që të tregoni vlerat tuaja!
| | | Lexo më shumë

Ku ta kaloni muajin e mjaltit? Ja 10 qytetet më romantike

Paris

Qyteti i dritave kryeson listën e qyteteve më romantike, për disa arsye. Mund të kaloni një ditë fillimisht me kafe në anë të një rrugice të vogël, pastaj pak pazar përgjatë Champs Elysees, vizitë në bazilikën Sacre-Coeur për një pamje të qytetit në të shkuarën dhe ndërsa vështroni Kullën Eifel, ndjeheni si ata që fluturojnë në ajër. Përzieni edhe pak kulturë në itinerarin tuaj duke eksploruar artin modern në Qendrën Pompidu dhe kryeveprat klasike në Louvre. Kaloni një mbrëmje duke pirë shampanjë.
Më romantikja është  të bëni një shëtitje përgjatë lumit Sena, që gjarpëron nëpër Paris dhe të admironi peisazhin përgjatë brigjeve në të majtë dhe në të djathtë. Kaloni disa kohë në Pont Neuf (Ura më e vjetër në Paris) dhe shikoni katedralen e jashtëzakonshme Notre Dame. Gjatë natës, bëni një vizitë në klubet e famshëm të xhazit (Caveau de la Huchette).

Venecia

Disa imazhe janë më emblematike për romancën, se sa një udhëtim me gondolë mbi ujrat e qeta të Venecias. Plani urbanistik unik i Venecias – me rrugët e ngushta kryqëzuar me kanale – e bën atë një “çudi” që duhet eksploruar. Edhe pse nuk duhet të humbisni vendet atraktive të njohura turistike si Piazza San Marco, sheshin kryesor të qytetit dhe Accademia Dell Ponte, apo një urë përgjatë Kanalit të Madh, ju duhet gjithashtu të merrni një barkë dhe të vozisni jashtë rrugëve të rrahura. Udhëtoni me një autobus uji (i quajtur vaporetto) për të vizituar ishullin e Murano, i famshëm për përpunuesit e qelqit që ushtrojnë tregtinë e tyre atje, apo për Burano pak më tej, i njohur për qëndisjet.
Nuk ka mënyrë më të mirë për të parë Venecian duke bredhur kuturu, sepse nuk mund të humbni. Filloni në Piazza San Marco dhe shihni ku do t’ju çojnë rrugët anësore. Për të qenë i sigurt ndaloni në një bacaro (një bar venecian për verë) për një gotë Chianti, pasdite.
Rome

Roma + Firence

Dy qytetet italiane renditen ndër qytetet më romantike në botë. Roma ju bën të ndjeheni më energjikë dhe mund të shpenzoni çdo ditë duke admiruar monumente si Koloseu dhe bazilika e Shën Pjetrit. Ndërsa në Firence mbizotëron fryma e Rilindjes, kështu që është një mundësi e mirë për t’u zhytur në artin e Michelangelo, Botticelli dhe vizita në kupolën e katedrales Duomo.
Më romantikja në Romë, është një vizitë në Il Gelato Crispino di San dhe në disa prej shatërvaneve të famshme të qytetit gjatë natës. Nëse shatërvani Trevi është i tejmbushur, ka katër të tjerë në Piazza Navona ku po të hedhësh një monedhë do të plotësohet një dëshirë. Në Firence, ngjituni në Palazzo Pitti (një nga pallatet më të mëdha në qytet) për një pamje përrallore ose zgjidhni të shijoni peisazhin mbi urën Ponte Vecchio dhe hidhni çelësin në lumin Arno: Sipas legjendës, kjo do të thotë se dashuria tuaj do të zgjasë përgjithmonë.
new york

New York City

Cili është qyteti më romantik në Shtetet e Bashkuara? Asnjë tjetër përveç Nju Jorkut. Ka vende të panumërta për të patur një moment romantik në qytet – një piknik në Central Park, një shëtitje përreth Muzeut Cloisters, ose një darkë nën qirinj me pamje të dyfishtë: një nga Toka dhe një nga Deti në West Village. Kurthe turistike si Times Square, ia vlejnë për një vizitë në qoftë se nuk keni qenë, por ndoshta do t’a kalonit mirë edhe duke shëtitur përgjatë rrugëve anësore të SoHo ose në lëndinën mes rrokaqiejve në Bryant Park.
Më romantikët zgjedhin të ecin nga Manhatani në Bruklin nëpër urën Brooklyn (ndaloni në Grimaldi për pica), dhe pastaj përgjatë shëtitores për një pamje mahnitëse të qytetit.
honolulu

Honolulu

Ishujt Hawai janë të njohur për ujërat e ngrohta e të pastra, plazhet piktoreske dhe perëndimin idilik. Kaloni muajin e mjaltit në Honolulu dhe do të gjeni se përveç natës emocionuese dhe restoranteve të mahnitshme do të keni për të shijuar diçka edhe nga çdo qytet. Kaloni nje pasdite në pazar për rroba, art dhe bizhuteri në Walk, rindërtuar rishtas në Waikiki Beach. Mbylleni me një vizitë tek Diamond Head (nje krater i madh vullkanik).
Uluni në një stol në Xhennete Botanik Foster dhe argëtohuni më pas në një turne fantazmë (dhe të frikshëm).
barcelona

Barcelona

Edhe në qoftë se ju nuk jeni i çmendur pas arkitekturës do të magjepseni në Barcelonë. Pothuajse të gjithë që shohin surrealizmin e Antoni Gaudi – të cilat mund të gjenden në të gjithë Barcelona – janë magjepsur. Shembulli më tipik është bazilika e madhe “Sagrada Familia” (ende e pambaruar), për të cilën Gaudi ka punuar për më shumë se 40 vjet. Dhe mos harroni të bridhni në dyqanet dhe kafenetë e Las Ramblas, një nga rrugët më të famshme dhe më të gjalla të Barcelonës.
Romantikët zgjedhin të shkojnë në një shfaqje flamenko (provoni një vend si Tablao Flamenco Cordobes) dhe pastaj praktikojnë disa nga lëvizjet e këtij vallëzimi të veçantë.
san_francisco

San Francisko

Bëni muajin e mjaltit në San Francisko dhe jeni të garantuar se do të provoni ushqim të shkëlqyer dhe një ndjesi metropolitane të rrallë. Nëse nuk i keni problem turmat, kaloni një pasdite në skelën e peshkatarëve apo pazar për suvenire në Union Street. Nëse po, vazhdoni me një frymëzim në Presidio, për një nuancë romantike të Angel Island, Alcatraz dhe San Francisco Bay.
Romantikët mund të bëjnë një shëtitje mes pemëve në Muir Woods, jashtë qytetit. San Francisko do t’ju ofrojë edhe një nga peisazhet më të bukura të urës Golden Gate.
vienna

Vienna

Kryeqyteti i Austrisë është i favorshëm për pushimet e gjata dhe shëtitjet romantike. Rrugët kryesore janë të ndara në unaza dhe ka shumë pak dyqane dhe kafene në rrugë, si Karntnerstrasse. Ndërtesat kanë fasada të stilizuara që ju bëjnë të ndjeheni vërtet sikur keni udhëtuar në Evropën e hershme. Dhe mos harroni të provoni një Weiner Shnizel tradicionale, mish viçi i prerë në feta të holla shoqëruar me salca dhe bukë.
Romantikët mund të vizitojnë qytetin e Moxartit. Edhe në qoftë se nuk jeni adhurues i muzikës klasike, një performancë e Filarmonisë së Vjenës mund të jetë jashtëzakonisht e bukur.
london

Londër

Londra është destinacion i përsosur për muajin e mjaltit për udhëtarët që duan të njohin me lehtësi kulturën e Evropës në një vend anglisht-folës. Ka shumë për të parë në muzetë e qytetit (udhëtime në Victoria & Albert dhe Tate Modern janë një domosdoshmëri), dhe në qoftë se rastisni atje në sezonin e duhur, shihni një shfaqje në Teatrin Globe të Shekspirit. Nuk ka çati dhe hapësirë për spektatorët që qëndrojnë në në këmbë është vetëm një dhomë. Pas performancës gjeni një stol përgjatë lumit Thames (mundësisht me një pamje të katedrales së Shën Palit) dhe thjesht gëzojuni çasteve që mund të shijojë një i porsamartuar.
Romantikët mund të rezervojnë një kabinë private për një udhëtim 30-minutësh tek Syri i Londrës (një rrotë e madhe që ju lejon të shihni për 25 kilometra në çdo drejtim) me një shishe shampanjë.
prague

Pragë

Asgjë nuk të sjell në mendje një “përrallë”, përveçse një kështjellë mbi një kodër dhe Praga e ka një të tillë. Edhe në dimër (kur ka pak turistë), arkitektura dramatike e Pragës është një çudi. Kaloni një ditë duke eksploruar Kështjellën e Pragës dhe kthehuni në sheshin e qytetit të vjetër në orë fiks, në mënyrë që të mund të dëgjoni tingëllin e kohës 600-vjeçare astronomike.
Romantikët mund të kalojnë një vakt në bregun e lumit në KAMPA Park dhe pastaj të ecin së bashku në Urën Charles, ku do të ndjehen sikur janë kthyer mbrapa 200 vjet./100revista
| | | Lexo më shumë

99 thëniet më frymëzuese


Thëniet frymëzuese dhe citatet motivuese kanë fuqi për të na nxjerrë nga një ditë e keqe dhe mund edhe të na japin guxim për të ndjekur ëndrrat e jetës sonë. Ja 100 nga thëniet më frymëzuese.
  1. Çfarëdo që mendja e njeriut mund të konceptojë dhe besojë, ajo mund të arrihet. -Napoleon Hill
  2. Koha juaj është e kufizuar, prandaj mos e humbni atë duke jetuar jetën e dikujt tjetër. – Steve Jobs
  3. Përpiquni të mos jetë vetëm një sukses, por më tepër të jetë me vlerë. -Albert Einstein
  4. Nga dy rrugë që të çonin në pyll unë zgjodha atë më pak të shkelurën dhe kjo bëri gjithë ndryshimin. -Robert Frost
  5. Pyetja e zakonshme në biznes është, “pse ?”. Kjo është një pyetje e mirë, por një pyetje po aq e vlefshme është, “pse jo?” – Jeffrey Bezos
  6. Ju humbisni 100 % të goditjeve, nëse nuk godisni. – Wayne Gretzky
  7. Unë kam humbur më shumë se 9000 gjuajtje në karrierën time dhe gati 300 ndeshje. 26 herë kam besuar se loja ishte fituar dhe e kam humbur. Kam dështuar përsëri e përsëri në jetën time. Dhe kjo është mënyra pse arrita suksesin. -Michael Jordan
  8. Çdo sulm, më afron sa më shumë tek zona e golit. –Babe Ruth
  9. Përcaktimi i qëllimit është pika e fillimit të të gjitha arritjeve. – W. Clement Stone
  10. Jeta është ajo që ndodh me ju, ndërsa ju jeni të zënë duke bërë plane të tjera. – John Lennon
  11. Ne bëhemi ata që mendojmë. – Earl Nightingale
  12. Njëzet vjet më vonë ju do të jeni më i zhgënjyer nga gjërat që nuk keni bërë, se sa nga ato që keni bërë, kështu që ngrini velat, lundroni larg limaneve të sigurta dhe kapni erërat e tregtisë në anijen tuaj. Eksploroni, ëndërroni, zbuloni. – Mark Twain
  13. Jeta është 10 % çfarë ndodh me mua dhe 90 % si reagoj unë në të. – John Maxwell
  14. Nëse ju bëni atë që keni bërë gjithmonë, do të merrni atë që keni marrë gjithmonë. – Tony Robbins
  15. Mendja është gjithçka. Çfarë mendoni, ai bëheni. -Buda
  16. Koha më e mirë për të mbjellë një pemë ishte 20 vjet më parë. Hera e dytë më e mirë është tani. – Proverb kinez
  17. Një jetë e pakontrolluar nuk ka vlerë. – Sokrati
  18. Tetëdhjetë për qind e suksesit është zbuluar. – Woody Allen
  19. Mos prisni. Koha kurrë nuk do të jetë vetëm e tashme. -Napoleon Hill
  20. Të fitosh nuk është gjithçka, por të duash të fitosh, po. – Vince Lombardi
  21. Unë nuk jam produkt i rrethanave të mia. Unë jam produkt i vendimeve të mia. – Stephen Covey
  22. Çdo fëmijë është një artist. Problemi është se si të mbetet artist kur të rritet. -Pablo Picasso
  23. Ju kurrë nuk mund të kaloni oqeanin, derisa të keni guximin për të humbur nga shikimi bregun. Christopher Columbus -
  24. Kam mësuar, se njerëzit do të harrojnë çfarë keni thënë, njerëzit do të harrojnë atë që keni bërë, por njerëzit kurrë nuk do të harrojnë se si i keni bërë ata të ndjehen. Maya Angelou -
  25. Ose ju e kaloni ditën, ose dita iu kalon ju. – Jim Rohn
  26. Nëse mendoni, se mundeni ose nuk mundeni, keni të drejtë. – Henry Ford
  27. Dy ditët më të rëndësishme në jetën tuaj janë dita kur keni lindur dhe dita kur e gjeni se pse. – Mark Twain
  28. Çfarëdo që mund të bëni, qoftë edhe të ëndërroni, fillojeni. Guximi, ka fuqinë e gjeniut dhe magjinë në të. – Johann Wolfgang von Goethe
  29. Hakmarrja më e mirë është suksesi masiv. – Frank Sinatra
  30. Njerëzit shpesh thonë, se motivimi nuk zgjat. Po kështu edhe një banjë. Kjo është arsyeja, pse ne e rekomandojmë atë çdo ditë. – Zig Ziglar
  31. Frymëzimi ekziston, por duhet ta gjeni duke punuar. -Pablo Picasso
  32. Nëse dëgjoni një zë brenda jush, që thotë se “ju nuk mund të pikturoni”, atëherë pikturoni me gjithë kuptimin dhe zëri do të heshtë. – Vincent Van Gogh
  33. Ka vetëm një mënyrë për të shmangur kritikat: të mos bëni asgjë, të mos thoni asgjë dhe të mos jeni asgjë. – Aristoteli
  34. Pengesat, janë ato gjëra të frikshme, që shikoni larg qëllimit. – Henry Ford
  35. Personi i vetëm që jeni destinuar të bëhet, është personi që vendosni të jetë. – Ralph Waldo Emerson
  36. Ecni me besim në drejtimin e ëndrrave tuaja. Jetoni jetën që keni imagjinuar. – Henry David Thoreau
  37. Kur të qëndroj përpara Zotit në fund të jetës, do të shpresoj se nuk do më ketë mbetur asnjë grimë e vetme talenti dhe mund të them, se e kam përdorur për çdo gjë që m’u dha. – Erma Bombeck
  38. Njerëzit e suksesshëm janë gjithmonë në kërkim të mundësive për të ndihmuar të tjerët. Njerëzit e pasuksesshëm janë gjithmonë duke pyetur, “Çfarë ka aty për mua ?” – Brian Tracy
  39. Shumë gjëra mund të kapë syri juaj, por përqëndrohuni vetëm tek ato që kapin zemrën tuaj. – Proverb i lashtë indian
  40. Besoni se mundeni, dhe ndërkohë keni bërë gjysmën e rrugës. – Theodore Roosevelt
  41. Gjithçka që keni kërkuar ndonjëherë është në anën tjetër të frikës. -George Addair
  42. Shumë lehtë mund ta falni një fëmijë, i cili frikësohet nga errësira; Tragjedia e vërtetë e jetës është kur njerëzit janë të frikësuar nga drita. – Platoni
  43. Pasi të zgjidhni shpresën, çdo gjë është e mundur. Christopher Reeve -
  44. Filloni aty ku jeni. Përdorni atë që keni. Bëni atë që mundeni. – Arthur Ashe
  45. Kur isha 5 vjeç, nëna gjithmonë më thoshte se lumturia ishte çelësi për jetën. Kur shkova në shkollë, më pyetën se çfarë doja të bëhesha. U përgjigja ‘i lumtur ‘. Ata më thanë se nuk e kam kuptuar detyrën, ndërsa unë iu thashë se ata nuk e kishin kuptuar jetën. – John Lennon
  46. Rrëzohu shtatë herë dhe çohu tetë herë. – Proverb Japoneze
  47. Kur një derë e lumturisë mbyllet, një tjetër hapet, por shpesh ne shikojmë aq gjatë derën e mbyllur, saqë nuk shohim atë që ka qenë e hapur. – Helen Keller
  48. Çdo gjë ka bukuri, por jo të gjithë mund ta shohin. – Confucious
  49. Sa mrekulli do të ishte, sikur askush të mos priste asnjë moment të vetëm, për të filluar të përmirësonte botën. -Anne Frank
  50. Kur e le në të shkuarën atë çfarë jam, bëhem ai që mund të jem. Lao – Tzu
  51. Dallimi ndërmjet një personi të suksesshëm dhe të tjerëve nuk është mungesa e forcës, nuk është mungesa e njohurive, por më tepër mungesa e vullnetit. – Vince Lombardi
  52. Lumturia nuk është diçka e gatshme. Ajo vjen nga veprimet tuaja. – Dalai Lama
  53. Mënyra e vetme për të gjetur limitet e mundshme është të shkosh përtej tyre, në pamundësi. – Arthur C. Clarke
  54. Së pari, kemi një ideal të caktuar, të qartë dhe praktik; një qëllim, një objektiv. Së dyti, kemi mjetet e nevojshme për të arritur qëllimet; dituri, të holla, materiale dhe metoda. Së treti, rregullojmë të gjitha mjetet për këtë qëllim. – Aristoteli
  55. Në qoftë se nuk të ndihmon era, kap lopatat. – Proverb latin
  56. Nuk mund të biesh në qoftë se nuk ngjitesh. Por nuk ka asnjë kuptim të jetosh gjithë  jetën poshtë. – Anonim
  57. Kushdo që do diçka shumë, bën shumë e mund të arrijë shumë. Dhe çfarë është bërë me dashuri, është bërë mirë. Vincent Van Gogh -
  58. Shumë prej nesh nuk jetojnë dot ëndrrat, sepse jetojnë frikën. – Les Brown
  59. Sfidat janë ato, që e bëjnë jetën interesante dhe tejkalimi i tyre është ai, që e bën jetën më kuptimplotë. – Joshua J. Detare
  60. Mënyra për të filluar, është të lesh llafet dhe të fillosh punën. – Walt Disney
  61. Njohja nuk është e mjaftueshme, ne duhet të veprojmë. Të jemi të gatshëm nuk është e mjaftueshme, duhet të bëjmë. – Leonardo da Vinci
  62. Kufizimet jetojnë vetëm në mendjet tona, por në qoftë se përdorim imagjinatën, mundësitë tona bëhen të pafundme. – Jamie Paolinetti
  63. Përballuni me frikën më të madhe, sepse frika nuk ka fuqi. Para lirisë ajo zvogëlohet dhe zhduket. Ju jeni të lirë. – Jim Morrison
  64. Çfarë janë paratë? Një njeri është i suksesshëm në qoftë se çohet në mëngjes, shkon në flerë në darkë dhe mes tyre bën atë, që ai dëshiron të bëjë. -Bob Dylan
  65. Unë nuk dështova në testim. Vetëm se gjeta 100 mënyra për ta bërë gabim. – Benjamin Franklin
  66. Në mënyrë që të keni sukses, dëshira juaj për sukses duhet të jetë më e madhe, se frika juaj e dështimit. – Bill Cosby
  67. Një person, i cili kurrë nuk ka bërë një gabim, kurrë nuk ka provuar diçka të re. – Albert Einstein
  68. Personi, i cili thotë se nuk mund të bëhet, nuk duhet të ndërpresë personin, i cili është duke bërë. – Proverb kinez
  69. Nuk ka trafik të rënduar përgjatë rrugëve të gjata. – Roger Staubach
  70. Kurrë nuk është tepër vonë, që të bëheni ai që mund të keni qenë. – George Eliot
  71. Ju bëni atë që besoni. – Oprah Winfrey
  72. Preferoj më mirë të vdes nga pasioni, sesa nga mërzia. – Vincent van Gogh
  73. Një njeri me të vërtetë i pasur është ai, fëmijët e të cilit i hidhen në krahë, kur duart i ka bosh. – Anonim
  74. Nuk ka rëndësi ajo që bëni për fëmijët tuaj, por çfarë iu keni mësuar të bëjnë ata për veten e tyre. Kjo do t’i bëjë ata qenie njerëzore të suksesshme. -Ann Landers
  75. Nëse doni që fëmijët tuaj të ecin mirë, harxhoni me ta kohë dy herë më shumë dhe gjysmën e parave. – Abigail Van Buren
  76. Ndërtoni ëndrrat tuaja, ose dikush tjetër do t’ju punësojë për të ndërtuar të tyret. – Farrah Gray
  77. Pa devijim nga normat, progresi nuk është i mundur. – Frank Zappa
  78. Edukimi kushton, por po kështu edhe injoranca. – Sir Claus Moser
  79. Mos harroni se njerëzit më të lumtur nuk janë ata që marrin më shumë, por ata që japin më shumë. – H. Jackson Brown
  80. Nuk ka rëndësi se sa ngadalë ecni, për aq kohë sa nuk do të ndaleni. – Konfuci
  81. Lëreni përmirësimin e jetës suaj t’ju mbajë të zënë, në mënyrë që të keni më pak kohë për të kritikuar të tjerët. – H. Jackson Brown
  82. Mos harroni, se të mos marrësh atë që dëshiron, nganjëherë është një goditje e mrekullueshme e fatit. – Dalai Lama
  83. Ju nuk mund ta shpërdoroni kreativitetin. Sa më shumë që e përdorni, aq më shumë keni. – Maya Angelou
  84. Ëndërroni shumë dhe guxoni të dështoni. – Norman Vaughan
  85. Jetët tona fillojnë të përfundojnë ditën që bëhemi të heshtur për gjëra që kanë rëndësi. -Martin Luther King Jr
  86. Bëni atë që mundeni, aty ku jeni, me atë që keni. – Teddy Roosevelt
  87. Mënyra më e zakonshme e njerëzve që heqin dorë nga pushteti i tyre, është kur mendojnë se nuk e kanë. – Alice Walker
  88. Ëndërrimi, mbi të gjitha, është një formë e planifikimit. – Gloria Steinem
  89. Ky është vendi juaj në botë, kjo është jeta juaj. Bëni çfarë mundeni me të dhe bëjeni jetën tuaj, atë që doni të jetoni. – Mae Jemison
  90. Ju mund të zhgënjeheni nëse dështoni, por do të dënoheni, në qoftë se nuk e provoni. – Beverly Sills
  91. Mos harroni, askush nuk mund t’ju bëjë të ndjeheni inferior pa miratimin tuaj. – Eleanor Roosevelt
  92. Jeta është ajo që kemi bërë, ka qenë gjithmonë, gjithmonë do të jetë. – Gjyshe Moses
  93. Çështja nuk është se kush do të më lejojë, është se kush do të më ndalojë. – Ayn Rand
  94. Kur çdo gjë duket se po shkon kundër jush, mos harroni se aeroplani ngrihet më mirë kundër erës, jo në drejtimin e saj. – Henry Ford
  95. Nuk është numri i viteve, ai që vlen në jetën tuaj. Është jeta juaj brenda atyre viteve. – Abraham Lincoln
  96. Ndrysho mendimet dhe do të ndryshosh botën tënde. – Norman Vincent Peale
  97. Ose shkruaj diçka me vlerë që të lexohet, ose bëj diçka me vlerë që të shkruhet. – Benjamin Franklin
  98. Mënyra e vetme për të bërë punë të madha, është ta duash atë që bën ti. – Steve Jobs
Shënim: Në fakt janë 100 thënie frymëzuese, por nuk mundëm ta sillnim në shqip një prej tyre: Nothing is impossible, the word itself says, “I’m possible!” –Audrey Hepburn. Nëse keni një ide për shqipërimin mos hezitoni të shkruani komentin tuaj më poshtë!
| | | Lexo më shumë

Ja cilat ishin porositë e Arbën Xhaferrit …

Një popull që nuk arrin të merret vesh me vetveten, aq më pak mund të krijojë relacione mirëkuptimi me të tjerët

Enis Sulstarova

Kur lexon morinë e shkrimeve që në shtypin shqiptar iu kushtuan kujtimit të Arbën Xhaferrit, të bie në sy një cilësi që e përmendin të gjithë autorët e tyre: mendimi. Të gjithë janë në një mendje se Arbën Xhaferri ishte një politikan mendimtar. Si çdo politikan, edhe ai pësoi ulje-ngritjet, edhe ai u urrye e u dashurua, por askush nga miqtë e armiqtë, rivalët apo bashkëbiseduesit nuk ia mohoi atij cilësinë e mendimtarit në politikë. Kjo cilësi e bënte atë të përveçëm jo vetëm për skenën politike të shqiptarëve në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (IRJM), por edhe të krahasueshëm me shumë pak politikanë të Tiranës apo Prishtinës. Ai nuk ishte dogmatik, sikurse janë shpesh intelektualët e kalibrit të lartë kur i hynë karrierës politike, por nuk ishte as “pragmatist”, sikurse u pëlqen të shprehen për veten shumë politikanë shqiptarë, atëherë kur u duhet të shkelin mbi idetë dhe premtimet e të shkojnë nga fryn era e përkohshme e interesave vetjake apo e interesave e të huajve që ata i kanë pranuar si padronë. Arbën Xhaferri në politikë synonte realizimin dhe ruajtjen e interesave kombëtare të shqiptarëve, duke shfrytëzuar mundësitë dhe duke kapërcyer pengesat që krijonin rrethanat gjeopolitike të kohës. Duke pranuar se ai ishte i rrallë ndër politikanët, ne vajtojmë edhe shterpësinë dhe mjerimin e politikës shqiptare që nuk po arrin të ngrihet në nivelin që ia kërkon detyra kombëtare.

Arbën Xhaferrin si njeri, intelektual dhe politikan e takojmë nëpër faqet e librit Në Tetovë, në kërkim të kuptimit (Koha, Prishtinë, 2011). Te kjo intervistë e gjatë që i dha gazetarit Enver Robelli shfaqen kujtimet, pasionet, librat që ai lexonte, ëndërrimet dhe idetë e tij. Te ky tekst, i cili është një ndër të fundit që ai prodhoi, ndodhen shumë argumente që mund të formojnë njëfarë amaneti politik, d.m.th. disa porosi që Arbën Xhaferri do të donte t’ia linte kombit dhe politikës shqiptare. Më poshtë po grupojmë dhe lidhim disa nga idetë dhe argumentet që na duken se formojnë një vazhdimësi logjike, por që Xhaferri i ka shpërndarë nëpër libër, sipas pyetjeve që i ka drejtuar atij Enver Robelli.

Në radhë të parë vjen identiteti kombëtar shqiptar. Xhaferri mendon se identiteti kombëtar shqiptar është i formuar nga rrjedha e historisë së popullit shqiptar në trojet e veta dhe se ai nuk është aspak i shpikur apo artificial. Në këtë kuptim, mitet historike të shqiptarëve kanë një bazë të fortë në ndodhitë dhe faktet reale historike. Siç e shpreh Xhaferri, miti është i amalguar me rrëfimin historik (f. 28). Përkundrazi janë kombet e tjerë përreth që kërkojnë të ndërtojnë një të shkuar tërësisht mitike, me qëllimin për t’ia kundërvënë fakteve historike. Këtë synimi i shërben p.sh. projekti urbanistik Shkupi 2004, me anë të të cilit sllavomaqedonët duan t’u mbushin mendjen vetes dhe të huajve se ata janë trashëgimtarët historikë të gjithçkaje të vlefshme që kanë krijuar popujt e rajonit jugor të Ballkanit. Në dallim prej shqiptarëve, që ndjehen natyrshëm në identitetin e tyre, te maqedonasit “përvetësimi arbitrar i vlerave të huaja flet për kompleks të inferioritetit, për një ndjenjë të zbrazëtisë që synohet vazhdimisht të mbushet me plaçka të reja” (f. 29). Në fund të fundit do të jetë realiteti që do t’i kundërvihet mitit, nëse ky i fundit nuk e merr parasysh të parin. Kjo u ndodhi serbëve: “Serbët e humbën Kosovën ngaqë e perceptonin atë jo si atdhe, por si një fiksion romantik, si një amanet anakronik fetar, si një mit që nuk korrespondon me realitetin, me logjikën” (f. 59-60). Nëse në këtë rrugë po ecin qorrazi edhe sllavomaqedonët, përfundimi do të jetë i njëjtë.



Historia e shqiptarëve është për Xhaferrin një burim frymëzimi dhe force. Ai, si të thuash përpiqet të krijojë një dialog të përfytyruar me heronj si Jeronim De Rada, Hasan Prishtina, Azem Galica e deri familja e Jasharajve, për të kuptuar motivet që i nxitën ata që t’i përkushtohen dhe të flijohen për çështjen kombëtare. Synimi është “për të kuptuar kështu veten, atë që na lidh ne me ta, për të kuptuar jo vetëm kush jemi ne, por edhe çka jemi” (f. 28). Në thelb të identitetit kombëtar shqiptar qëndron figura e Skënderbeut, sepse, thotë Xhaferri, “në kodin e tij ndërlidhen të gjitha përkatësitë dhe veçoritë kombëtare të shqiptarëve, pa marrë parasysh dallimet ekzistuese, figura e tij rrezaton vlera me të cilat identifikohen shqiptarët e besimeve dhe krahinave të ndryshme, në simbolikën e tij të gjithë ne e ndjejmë veten në shtëpi” (f. 32). Sigurisht që edhe Skënderbeu ishte një njeri, me pasionet dhe të metat njerëzore si të gjithë të vdekshmit, por Xhaferri kërkon që të ruhet profili i burrit të shtetit dhe luftëtarit që na është përcjellë. Motivet personale të përpjekjes së tij nuk është e mundur të verifikohen qartë asnjëherë, mirëpo ne kemi mundësi të njohim dhe analizojmë veprimtarinë e tij politike, ushtarake dhe diplomatike, siç pasqyrohet në dokumente dhe jetëshkrime. Është aspekti publik i jetës së Skënderbeut ai që i vlen më shumë kujtesës kolektive të kombit, prandaj Xhaferri nuk pajtohet që përpjekja e jetës së Heroit, idetë që u bënë forca vepruese nëpërmjet saj të zëvendësohen nga “një instinkt psikologjik primitiv, siç është hakmarrja” (f. 33).



Dihet se te shqiptarët modernë identiteti kombëtar merr përparësi ndaj identiteteve fetare, për vetë faktin se procesi i komb-formimit shqiptar nuk u bazua ekskluzivisht te njëra prej feve ku besojnë shqiptarët, por u përpoq që të krijonte një bashkim politik e laik, të bazuar te prejardhja, gjuha e kultura, përtej ndarjeve fetare. Për këtë arsye, Xhaferri e quan shoqërinë shqiptare “atipike” (f. 30), duke pasur parasysh lidhjen e fortë me një fe që kanë kombet përreth saj. Prandaj, ai sheh me shqetësim rikthimin e simbolikës dhe emocioneve fetare në politikën ballkanike, diçka nga e cila shqiptarët duhet të jenë syçelët. Xhaferri na porosit se “diversiteti fetar nuk mund të zhbëhet, por duhet të shndërrohet në kualitet të shoqërisë shqiptare dhe të kultivohet bindja se pjesë e identitetit kombëtar është edhe diversiteti fetar. Pa këtë strategji si dhe respektimi i paluhatshëm i parimit të shekullarizimit, shoqëria shqiptare do të përballet me vështirësi të pakapërcyeshme” (f. 36).



Mbitheksimi i dallimeve fetare, thellimi i vijave ndarëve midis bashkësive fetare dhe ndezja e konflikteve fetare në Ballkan ndikon drejtpërdrejt parimet mbi të cilat është ndërtuar kombi shqiptar. Shoqëria shqiptare për të ruajtur kohezionin e brendshëm ka nevojë për t’iu referuar miteve të prejardhjes etnike dhe figurave kombëtare. Sërish, sipas Xhaferrit, Skënderbeu me ndërrimet e tij fetare në varësi të projektit të tij për liri, ofron “recetën e përsosur për krijim të kohezionit të brendshëm, saqë të shkon mendja se dikush, një intelekt mbinatyror na ka lënë një udhëzim për mbijetesë” (f. 32). Sigurisht që jemi të prirë që t’i japim këtë kuptim kumtit të Xhaferrit: për kombin shqiptar ka rëndësi mbijetesa e tij dhe jo vetëm mbijetesa e një prej përbërësve të tij fetarë apo dominimi i tij në dëm të kombit shqiptar. E cilësojmë këtë sepse ka pasur një tendencë të dëmshme për ta interpretuar fetarisht mitin e Skënderbeut: rritja si ortodoks, si mosha foshnjore dhe e pavetëdijshme e kombit, ndërrimi i detyruar në mysliman, si koha e robërisë dhe e pavërtetësisë së kombit dhe kthimi në katolik, si rilindje e vërtetë e kombit. Nëse mitin e Skënderbeut e pranojmë si kod të identitetit shqiptar, ashtu siç na e ka përcjellë Rilindja jonë Kombëtare, interpretimi më i saktë dhe i nevojshëm do të ishte se çdo periudhë e jetës së tij kishte vendin e saj në formimin e tij: pa lidhjen e hershme me atdheun, pa arsimimin dhe formimin ushtarak në ushtrinë osmane, pa lidhjet me botën e krishterë të atëhershme, Skënderbeu nuk do të ishte bërë ai që u bë dhe nuk do të bënte atë që bëri.



Xhaferri është kundër atyre që faktin e ndërrimit të fesë te shqiptarët ta interpretojnë me një lloj papërcaktueshmërie identitare të tyren, për pasojë t’i quajnë ata të paaftë për të pasur një jetë kolektive si komb dhe të pafrytshme përpjekjen për bashkimin në një shtet kombëtar. Xhaferri na kujton se në histori kanë ndodhur e kundërta: kanë qenë shtetet ato që kanë konsoliduar bashkësitë dhe identitetet fetare, për të pasur në këtë mënyrë mbështetjen e masave. Shtetet mesjetare ballkanike kanë krijuar kishat e tyre të pavarura dhe këto ruajtën një identitet proto-kombëtar edhe kur shtetet u shkatërruan. Shqiptarët nuk kanë pasur mundësinë për të përdorur shtetin e tyre për të konsoliduar një fe kombëtare. Kësisoj tërheqja e Venedikut nga bregu i Adriatikut Lindor dhe forcimi i sundimit osman krijuan kushtet për ndërrimin masiv të fesë, por jo të përkatësisë etniko-kombëtare (f. 35-36).



Xhaferri na kujton në intervistën e tij të gjatë disa fakte thelbësore për kolektivat kombëtarë: “Lufta e një populli kundër pushtuesit të huaj është obligim moral, demonstrim i përkatësisë ndaj bashkësisë që e përcakton identitetin e individit” (f. 58). Mirëpo që suksesi të arrihet duhet që parimi i përgjithshëm të realizohet në dhe përmes koniunkturave dhe këtu qëndron mjeshtëria e një politike kombëtare. Çlirimi i Kosovës u arrit, sepse lufta filloi në një çast historik kur armiku ishte i rrëzuar moralisht, ishte kompromentuar rëndë në luftërat pararendëse dhe kishte humbur përkrahjen ndërkombëtare (f. 59-61). Sipas Xhaferrit, politika shqiptare, me gjithë përçarjet, dobësitë dhe problemet e tjera të saj i kapitalizoi dështimet e armikut. Mbi të gjitha, ishte sjellja kolektive e shqiptarëve të Kosovës, diçka që Xhaferri e quan “gjenialiteti i popullit” (f. 62), ajo që ka meritën më të madhe për rreshtimin në krahun e demokracive perëndimore në kohën e duhur, si përpara, po ashtu edhe gjatë konfliktit të armatosur me serbët. Kosova u kthye në një betejë morale, në një “Armagedon ku u përball e mira me të ligën” (f. 76).



Ndryshe nga shumë analiza dhe komente të përcipta që hasim në shtypin shqiptar, Xhaferri i jep vendin që i takon nacionalizmit në historinë moderne të Europës. Nacionalizmi u shfaq në politikë pikërisht me ndryshimet epokale të humanizmit dhe iluminizmit, që shënuan çlirimin e njeriut nga autoritetet e imponuara. Shteti kombëtar është një formë e suksesshme e organizimit njerëzor, në krahasim me perandoritë dhe federatat heterogjene: “Nacionalizmi u bë kështu faktori kryesor që krijoi kohezionin e brendshëm të shtetit, stabilitetin e një shoqërie” (f. 87). Xhaferri ka të drejtë kur vëren se Zvicra, e cila citohet shpesh si shembulli i një shoqërie dhe shteti shumëkulturor, është një fakt i organizuar së brendshmi sipas modelit etno-kombëtar. Po kështu po organizohet edhe Bashkimi Europian (f. 124). Pra, ai nacionalizmin shqiptar, d.m.th. doktrinën politike që kërkon krijimin e një shteti të vetëm kombëtar për shqiptarët në Ballkan, nuk e dënon si regresive, siç bëjnë rëndom dhe në kor shumica e politikanëve bashkëkohorë shqiptarë, por e sheh si një aspiratë të drejtë për emancipim dhe që është në pajtim me trajektoren historike të Europës moderne. Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë nuk janë diçka e rastësishme dhe as dukuri vendore. Sikurse demonstratat e punëtorëve në Poloni në të njëjtën kohë treguan se premtimi klasor i socializmit kishte dështuar, po kështu Kosova dëshmoi se premtimet e socializmit për zgjidhjen e çështjeve kombëtare dhe etnike nuk kishin shpresë të realizoheshin (f. 166). Shqiptarët e ish-Jugosllavisë po vendoseshin në ballë të revolucioneve që do të sillnin fundin e komunizmit në Europën Lindore. Këtu është me interes që të krahasohet mendimi i Arbën Xhaferrit me atë të një tjetri mendimtar-politikan shqiptar, Ukshin Hoti, sepse edhe ai demonstratat e vitit 1981 në Kosovë i interpretonte sipas ndryshimeve më të gjera që po përjetonte Europa.



Jugosllavia ishte një krijesë artificiale e mbajtur në këmbë nga Lufta e Ftohtë. pas shpërbërjes së Jugosllavisë, IRJM-ja është pranuar si një zgjidhje realiste për të shmangur luftën ballkanike që mund të shkaktonte copëtimi i saj. IRJM-ja mbetet shteti me popullsinë më heterogjene në Ballkan, ku ndodhen dy shoqëri paralele: ajo sllavomaqedone dhe ajo shqiptare. Ka qenë një konstante e mendimit dhe e veprimit politik të Xhaferrit se nëse IRJM-ja do të kërkojë të mbijetojë si shtet, ajo duhet të respektojë dhe jo të anashkalojë çështjen e dy kombësive që e përbëjnë atë. Ekzistencës së shtetit maqedonas tani nuk i vjen rreziku nga jashtë, por nga brenda. Përvoja e vendeve demokratike ofron modelet e demokracisë bashkëpëlqimore (konsensuale), autonomisë territoriale, federatën shumëkombëshe dhe konfederatën. Në fund, nëse dy kombet që e përbëjnë këtë shtet nuk arrijnë të ndërtojnë një shtet të qëndrueshëm, atëherë i vjen radha ndarjes në paqe, sikurse ndodhi midis çekëve dhe sllovakëve dhe nesër mund ta shohim të ndodhë midis flamandëve dhe valonëve të Belgjikës (f. 145). Xhaferri do të kërkonte që elitat politike të dy kombeve ta shohin në sy realitetin dhe me guxim të merrnin përsipër detyrën historike për ta bërë IRJM një shtet demokratik, të drejtë dhe të paanshëm në trajtimin e kombeve dhe pakicave etnike që e përbëjnë atë. Përndryshe duhet pranuar ndarja e shtetit në linjat kombëtare dhe duhen krijuar kushtet që kjo të bëhet paqësisht.



Dëshira për një shtet për kombin shqiptar është diçka e natyrshme dhe buron nga nevoja e shqiptarëve për të ruajtur dhe shpalosur identitetin e potencialet e veta si popull në erën moderne. Politikanët dhe analistët ndërkombëtarë mund të mos e pranojnë këtë fakt të thjeshtë, mirëpo Xhaferri u kujton atyre se nacionalizmat e shteteve të përparuara nuk “bien në sy”, sepse janë të institucionalizuar. Popujt e mëdhenj të botës “jo vetëm që nuk distancohen nga nacionalizmi i tyre, por atë e shndërrojnë në vlerë ndërkombëtare” (f. 187), duke eksportuar kulturat dhe vlerat e tyre kombëtare jashtë vendeve të tyre. Ndryshe ndodh me shqiptarët, ku nacionalizmit të tyre politikanët nuk i dalin për zot, sepse e duan ta fitojnë përkrahjen nga jashtë dhe gjithmonë janë në kërkim të doktrinave alternative. Si rrjedhojë, Xhaferri vëren se “nacionalizmi shqiptar është pasiv, në krahasim me popujt përreth të cilët vazhdimisht janë aktivë” (po aty). Xhaferri nuk iu shmang përgjegjësisë kombëtare, këtë e ka vlerësuar një politikan tjetër mendimtar që ndan ide të ngjashme, Albin Kurti, i cili shkruan se “porosia e Arbën Xhaferit është se Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk kanë dhe as që kanë nevojë të kenë alternativë. Bashkimin kombëtar të shqiptarëve ai e shihte si kauzë të drejtë dhe të dobishme si nga këndvështrimi kulturor dhe ekonomik, po ashtu edhe nga ai politik e historik. Arbën Xhaferi thoshte që shqiptarët për ta ndryshuar gjendjen e tyre nuk duhet të ndryshohen ata vetë si shqiptarë që janë. Ndryshimi i situatës së shqiptarëve bëhet duke mos ndryshuar shqiptarët, duke mbetur shqiptarë, duke u bërë e ribërë përherë shqiptarë”.




Për aq sa na e lejon hapësira e një artikulli, paraqitëm disa ide themelore që Xhaferri ka shprehur në librin e fundit të tij, fryt i bisedës dhe bashkëpunimit të tij me Enver Robellin. Në përfundim e përsërisim se Arbën Xhaferri ishte rilindës, sepse idetë e tij janë vazhdim i ideve të Rilindjes Kombëtare. Mirëpo ai nuk ishte rilindës modern, sikurse e quajti dikush, sepse Rilindja jonë nuk është arkaike dhe as paramoderne, ajo është hapëse e modernitetit të shoqërisë shqiptare dhe idetë e saj janë aktuale edhe në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së shqiptarëve. Aq më pak ishte Xhaferri rilindësi i fundit, sikurse e quajti një tjetër, sepse rilindës shqiptarë do të ketë për aq kohë sa do të ekzistojë kombi shqiptar. Sa të jetojë ky i fundit, do të ketë shqiptarë që do të mendojnë dhe punojnë për ta rimëkëmbur, për ta “rilindur”. Është e natyrshme që kur një personalitet i rëndësishëm politik dhe intelektual i kombit largohet nga jeta, përcjellja e tij të kryhet me lavdërime. Mirëpo, ndërsa koha kalon dhe gjërat ndryshojnë, kujtimi dhe nderimi i vërtetë për të do të ishte përpjekja jonë për të kuptuar jetën dhe përpjekjen e tij. Nëse gjykojmë se problemet janë të njëjta me ato me të cilat përballej Xhaferri, nëse zgjidhjet që ofronte ai vlejnë akoma për shqiptarët e IRJM-së dhe kombin shqiptar në tërësi, është detyra jonë vazhdimi në të njëjtën rrugë ku eci ai. Rrugëtimin për emancipimin e kombit të vet, ai e quante maratonë dhe ne e dimë se jemi ende larg prej finishit.

Veze Sharri dhe Lecker

Më të lexuara